Ish-ministri për Punë të Jashtme, Skender Hyseni, ka kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti shtyrjen e zgjedhjeve në veri, duke thënë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, është në pritje edhe të pretekstit më të vogël për të aktivizuar skenarët më të errët në veri.
“Osmani e Kurti, sot duhet të dalin para popullit dhe tregojnë cfarë zgjedhjesh do te mbahen ne veri. A ka kushte për mbajtjen e tyre apo ato duhet të shtyhen që të evitohet eskalimi i mëtejshëm i situatës. Pothuaj çdo veprim e vendim diletant e amatoresk i Kurtit dhe Osmanit në veri veri muajve të fundit ka qenë i gabuar! Sot veriu është tërsisht në duart e bandave e grupeve kriminale serbe atje, të cilat dirigjohen nga Presidenti serb Vuçiq, i cili si gjithmonë kërkon dhe është në pritje edhe të pretekstit më më të vogël për të aktivizuar skenarët më të errët në veri”, ka shkruar Hyseni në Facebook.
Për sulmin ndaj policisë në Zveçan, ku u plagos një pjesëtar, Hyseni tha se një plumb i shkrepur ka shënuar fillimin e një lufte.
“Në Ballkan, jo rrallë gjatë historisë, një plumb i shkrepur ka shënuar fillimin e një lufte shkatërrimtare. Kur shpërthejnë konfliktet, kot identifikon fajtorët, sepse pasojat i bartë qytetari”, ka shkuar ai.
Hyseni tha se presidentja Osmani nuk ishte konsultuar me organet e tjera të sigurisë, para marrjes së vendimit për mbajtjen e zgjedhjeve.
“Presidentja Osmani kishte vendosur të caktonte një datë për mbajtjen e zgjedhjeve ne veri. Askush nuk e konteston ligjshmërinë e këtij vendimi në një situatë normale. Por, a ishte Presidentja Osamani në diejni për potencialin shpëthyes në veri para se të bënte këtë hap?!. A ishte konsultuar ajo me organet kosovare të sigurisë?! A mund të zhvillohet një proces zgjedhor normal në një situatë jonormale, e madje edhe shpërthyese?! Pergjigja në këtë pyetje është jo! Por përgjigja duhet të ipet nga vet Presidentja, sidomos tani pas situatës më të re të krijuar në veri me shkrepje armësh dhe plagosje policësh”, është shprehur Hyseni.
“Kurti e Osmani sot duhet t’i drejtohen popullit dhe të marrin vendim për shtyrjen e zgjedhjeve në veri deri në krijimin e rrethanave normale!”. /TV Arbëria