Kandidatja për deputete nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me gjendjen ekonomike në vend, duke theksuar se inflacioni ka gërryer ekonominë e Kosovës gjatë viteve të fundit.
“Ekonominë e vendit gjatë viteve të fundit e ka gërryer inflacioni. Çdo përshkrim i ekonomisë së vendit pa përfshirë inflacionin është propagandë, është mashtrim, siç ka qenë secila ditë marsi i vitit 2021”, ka shkruar Bajrami.
Ajo i është referuar të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, duke theksuar se rritja e çmimeve nuk është pasojë e faktorëve të jashtëm.
“Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma e inflacionit në nëntor të vitit 2025 është 5.3% dhe ky nuk është inflacion i importuar, është inflacion i shkaktuar nga politikat qeveritare”, ka deklaruar ajo.
Bajrami ka theksuar se inflacioni ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve.
“Inflacioni është transfer i parave prej xhepave të qytetarëve në buxhetin e shtetit. Pra, kur rriten çmimet, rriten tatimet dhe rrjedhimisht edhe buxheti”, ka shkruar kandidatja e LDK-së.
Sipas saj, buxheti i rritur është përdorur për qëllime elektorale.
“E popullistët këtë buxhet e kanë shfrytëzuar për të blerë vota e paqe sociale, sepse sot, pas pesë vitesh, asnjë projekt nuk është realizuar”, ka theksuar Bajrami.
Në fund të postimit, ajo u ka bërë thirrje qytetarëve për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Më 28 dhjetor, zgjidh qeverinë që rrit paga, që e ndërton vendin, zgjidh njerëzit që janë të dëshmuar me punë e ndershmëri. Zgjidh Lidhjen Demokratike të Kosovës me numër 123”, ka përfunduar Bajrami.