Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka akuzuar ministrin e Financave, Hekuran Murati, se ka mbajtur për 46 ditë në sirtar buxhetin e Komunës së Prishtinës, pa e përcjellë për aprovim në Kuvendin e Kosovës.
Në një postim në rrjete sociale, Bajrami ka thënë se ministri Murati, “duke e parë të paevitueshme humbjen në Prishtinë”, po përdor propagandë lidhur me çështjen e buxhetit dhe pagat e ndërmarrjeve publike.
Ajo ka publikuar edhe data konkrete, duke kujtuar se Kuvendi Komunal i Prishtinës e kishte miratuar buxhetin më 9 dhjetor 2024, ndërsa Komuna e kishte dërguar në Ministrinë e Financave më 17 dhjetor 2024.
Sipas saj, ministri Murati e ka përcjellë buxhetin në Kuvendin e Kosovës vetëm më 31 janar 2025, pra pas 46 ditësh vonesë.
“Buxhetin e Prishtinës e ka dërguar në Kuvend në kulmin e fushatës zgjedhore, kur Kuvendi nuk ka pasur komisione funksionale. Tani ai po fajëson LDK-në se po e bllokon miratimin e buxhetit”, ka shkruar Bajrami.
Deputetja e LDK-së ka pyetur publikisht pse ministri nuk e ka përcjellë dokumentin më herët, në kohën kur Kuvendi ishte funksional dhe kishte të gjitha trupat punues aktivë.
Në fund të reagimit, Bajrami i është drejtuar Muratit duke e akuzuar për propagandë dhe duke kërkuar që të “lirojë buxhetin e RTK-së”, duke kujtuar raste të mëparshme kur, sipas saj, buxhetet e ngjashme janë proceduar me shpejtësi.
“Derisa ti po mashtron në Facebook, disa familje bukën në market janë t’u e marrë veresi”, ka shkruar ajo.