Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Hykmete Bajrami akuzon Vetëvendosjen për punësime partiake

Hykmete Bajrami akuzon Vetëvendosjen për punësime partiake

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka pasur një përplasje në Komisionin për Administratë Publike më zëvendës ministrin e Punëve të Brendshme, Bardhyl Dobra.

Duke e kundërshtuar Projektligjin për zyrtarët publikë, deputetët e opozitës kanë thënë se ky projektligj dhe ai për pagat do të përfundojnë në Gjykatën Kushtetuese.

Deputetja Bajrami, ka akuzuar Vetëvendosjen për punësime partiake, duke përmendur punësimin e ish-asamblistit të VV-së në Mitrovicë, Faruk Mujka, i cili është zgjedhur drejtor në ndërmarrjen “Iber Lepenci”.

Ajo ka thënë po ashtu se shqetësim i Zyrës së BE-së dhe LDK-së për Projektligjin për zyrtarët publikë mbetet shpallja e rekrutimit pas një viti për të gjitha pozitat e nivelit të mesëm menaxherial.

Bajrami: Nuk ka pozitë që nuk e keni ‘kapë’, trego kush është zgjedhur në “Iber Lepenci”

“Zëvendësministër, raporti i fundit i progresit, mos e devijo debatin, nuk ka pozitë që nuk e keni ‘kapë’… Nuk dëshiroj që në komision të bëj politikë, mirëpo Vetëvendosje ka mundur të flasë për nepotizëm e politizim në të kaluarën. Trego kush është zgjedhur në ndërmarrjen “Iber Lepenci”? Trego! Prandaj, leni këto blofe që po i hapim konkurset për diasporë. I keni 80 për qind të pozitave të larta me ushtrues detyre, nuk po vijnë njerëzit me punuar me juve, ky është problemi, nuk është problemi i ligjeve. Nuk ka konkurse të brendshme për nivelin e mesëm menagjerial, sepse thuhet që një vit pas hyrjes në fuqi të Ligjit, do të shpallet rekrutim për komplet drejtorët”, theksoi Bajrami.

Mes kritikave dhe vërejtjeve opozita ka kërkuar të hënën që mos të miratohen me nguti dy projektligjet, për zyrtarët publikë dhe ai për pagat në sektorin publik.

Gjatë shqyrtimit të tyre mes dy leximeve në Komisionin për Administratë Publike, deputeti nga radhët e PDK-së, Isak Shabani kërkoi që këto dy projektligje të mos miratohen me nxitim ose me procedurë të përshpejtuar.

Shabani: Nxitimi është i qëllimshëm, që pastaj me përfunduar në Kushtetuese projektligjet

“Duket që ky nxitim ka për qëllim që këto projektligje të miratohen ashtu siç kanë ardhur në komision e pastaj të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese, që me vonesë të fillojë implementimi i tyre. Jam i shqetësuar që këto projektligje po tentohen të miratohen pa një analizë të mirëfilltë, pa pasur kohë ne si komision për t’i trajtuar ashtu siç do të duhej. Kur po e themi këtë, ka aq shumë pakënaqësi nga shoqëria civile, sindikatat dhe organizatat tjera ndërkombëtare. Koha është shumë e shkurtër, nuk do të mund as t’i lexojmë sot e lëre më për t’i shqyrtuar. Prandaj, duhet me na dhënë afat shtesë për t’i trajtuar këto”, theksoi Shabani.

Për këtë kryetari i Komisionit nga radhët e Vetëvendosjes, Valon Ramadani tha se ka një vendim të Kuvendit për përshpejtim të afateve të miratimit të këtyre dy projektligjeve.

Ramadani: Ka vendim të kuvendit për përshpejtim të afateve

“Sa për sqarim, ka vendim të Kuvendit për përshpejtim të afateve, por ajo datë nuk mund të ndryshojë përveç me një vendim të seancës së Kuvendit. Edhe atë ditë në seancë nuk pati ndonjë kundërshtim prej grupeve parlamentare që këto dy ligje të kryhen para Vitit të Ri. Kështu që ne amendamentet mundemi t’i pranojmë deri në orën 12:00”, theksoi ai.

Edhe deputeti nga AAK, Besnik Tahiri ka thënë se shqyrtimi me nguti i Kuvendit për Projektligjin për zyrtarë publikë dhe Projektligjin për pagat është i gabim.

Deputeti Tahiri tha se ka propozuar një amendament për Projektligjin për pagat për caktimin e vlerës së koeficientit në 129 euro. Megjithatë, ai pret që punonjësit e Gjykatës dhe Prokurorisë do të jenë të pakënaqur me Ligjin për pagat dhe do ta dërgojnë në Kushtetuese për shkak të uljes së pagave të tyre.

Ndërsa, për Projektligjin për zyrtarët publikë, Tahiri tha se sigurt që do të përfundojë në Kushtetuese.

Tahiri: Vlera e koeficientit në Ligjin e pagave të jetë 129 euro

“Këto dy ligje po vijnë në një shqyrtim të shpejtë, për çka nuk ka kuptim. Kam bërë katër amendamente, për vlerësimin tim, amendamenti kryesor është përcaktimi i vlerës së koeficientit. Ne kemi propozuar si Grup parlamentar që vlera e koeficientit në Ligjin e pagave të jetë 129 euro. Ne do të ballafaqohemi me gjykatës dhe prokurorë. Këta të fundit domosdo do të gjejnë formën dhe mënyrën për ta dërguar në Kushtetuese, për shkak se iu ulën pagat… Nëse kërkesa bëhet për masë të përkohshme e ndal zbatimin… Po ashtu jam i bindur që Ligji për zyrtarët publikë do të përfundojë në Kushtetuese, që lidhet me mandatin. Kur flasim për mandatin e rreth 1600 zyrtarëve të lartë publikë, jam i sigurt që kjo ka me qenë pengesa e patejkalueshme”, tha Tahiri.

Kuvendi në seancën e fundit ka vendosur t’i shmangë afatet procedurale të përcaktuara nga Rregullorja e Kuvendit, në mënyrë që të caktohen afatet për shqyrtim të dytë në mënyrë të përshpejtuar në seancën e së enjtes më 22 dhjetor.   /TV Arbëria

Powered by WordPress