Një nga detyrat e Kuvendit, krahas asaj legjislative është edhe funksioni i mbikëqyrjes i Qeverisë. Sa ishte opozita efektive në kontrollimin dhe monitorimin pushtetit në procesin e dialogut me Serbinë, sipas raporteve të organizatave hulmtuese mbi punën e Kuvendit gjatë sesionit pranveror “përkundër zhvillimeve të rëndësishme brenda dhe jashtë vendit, kryeministri nuk u ftua asnjëherë për raportim”.
Lidhur me këtë çështje, deputeti Fatmir Humolli për TV Arbëria tha se Kuvendi i Kosovës, opozita dhe pozita nuk kanë dallim në esencë sa i përket dialogut me Serbinë.
Humolli theksoi se të gjitha partitë politike kanë pranuar presionin ndërkombëtar dhe e kanë bërë Serbinë hisenike në Kosovë.
“Kuvendi i Kosovës, opozita dhe pozita nuk kanë dallim në esencë sa i përket dialogut me Serbin. Të gjitha partitë politike kanë pranuar presionin ndërkombëtar dhe e kanë bërë Serbin hisenike në Kosovë. Me Serbin bisedojnë për ndërtimin e brendshëm të Kosovës; për këtë, opozita nuk ka pasur arsye të kërkojë llogari nga qeveria”, është shprehur ai.
Ai thotë se presioni i opozitës ndaj qeverisë ka qenë vetëm pse nuk po dëgjon bashkësinë ndërkombëtare.
“Deklaratat apo presioni i opozitës ndaj qeverisë ka qenë vetëm pse nuk po dëgjon bashkësinë ndërkombëtare. Opozita nuk e ka kuptuar se arsyeja thelbësore për humbjen e zgjedhjeve të fundit ka qenë se ka qenë shumë e dëgjueshme ndaj ndërkombëtarëve. Si rezultat i kësaj dëgjueshmërie, Serbia sot është në një pozicion gjithnjë e më të konsoliduar e favorizuar prej ndërkombëtarëve.”
Tutje, sipas tij ndërkombëtarët e shohin se Serbia është më e vendosur se Kosova.
“Klasa politike nuk po e kupton se rrethanat nuk janë statike; kanë kaluar 25 vjet dhe ndërkombëtarët e shohin se Serbia është më e vendosur se Kosova. Bashkësia ndërkombëtare nuk është e ndërtuar mbi baza të drejtësisë, por mbi interesa politike”, tha ai.
Humolli deklaroi se zëri individual në Kuvend nuk ka peshë, pasi është ndërtuar për t’i pasur në kontroll deputetët dhe jo për të përfaqësuar qytetarët.
“Zëri individual në Kuvend nuk ka peshë, pasi është ndërtuar për t’i pasur në kontroll deputetët dhe jo për të përfaqësuar qytetarët, duke u nisur nga pragjet deri te grupet parlamentare, dhe e fundit për ti votuar 10 deputetë nga një qytetar”, përfundoi Humolli për TV Arbëria.