Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Humolli, ka komentuar deklaratën e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ku në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, tha se fjalën përfundimtare për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do ta kenë vetëm palët, ndërkaq Humolli theksoi se ai po e sheh naivitetin politik të Kosovës dhe në vazhdimësi bën lojëra në dëm të shqiptarëve.
“Lajçaku po e sheh naivitetin politik të Kosovës dhe në vazhdimësi bën lojëra në dëm të shqiptarëve“, është shprehur ai.
Sipas vlerësimit të Humollit klasa politike e vendit tonë është në rrugë të gabuar, derisa shton se Serbia na ka pushtuar njëanshëm, jo me marrëveshje dhe ne jemi çliruar me luftë të armatosur nga ai pushtim.
“Klasa jonë politike është në një rrugë të gabuar, rrugë e cila ka filluar qysh nga Rambujea kur më pak fjalë kanë pranuar se po ndahemi nga Serbia, kur në fakt ne po luftonim për çlirim nga pushtimi serb, ka një dallim të madh në këto dy nocione. Serbia na ka pushtuar njëanshëm, jo me marrëveshje dhe ne jemi çliruar me luftë të armatosur nga ai pushtim, andaj të pranosh të bisedosh për një marrëveshje me Serbinë është hap i gabuar, gabim i cili e trimëron shovenizim serb dhe njëkohësisht i largon nga ne ata miq që dikur kanë qenë me Serbinë e ne me anë të vendosmërisë sonë për luftë të armatosur i kemi amortizuar dhe ne disa raste i kemi kthyer në anën tonë”, është shprehur Humolli.
Më tej, ai konstaton se Kosova ka qenë peng i Bashkësisë Ndërkombëtare dhe naiviteti politik e ka ushqyer këtë pengmarrje.
“Kosova ka qenë peng i Bashkësisë Ndërkombëtare dhe naiviteti ynë politik e ka ushqyer këtë pengmarrje, vetë pranimi i bisedimeve me Serbinë me ndërmjetësimin e një institucioni ndërkombëtar i cili nuk e njeh shtetësinë e Kosovës është në thelb pabarazi dhe nxitje e mëtutjeshme e shovenizimit serb”, tha Humolli.
Ndër tjera, Humolli thotë se Lajçaku do të duhej të shpallej non-grata nga institucionet tona.
“Kosova është sot peng i naivitetit politik të një klase politike antihistorike e cila nuk e ka guximin qytetar të merret me fatin tonë në mënyrë të drejtë. Ky naivitet dhe mungesë e guximit politik i krijon hapësirë një tipi si Lajçaku i cili bën lojëra politike me popujt e Ballkanit. Në vend që t’i trasohet rruga Lajçakut, në kushte normale një person si ky me program të qartë anti-Kosovë do të duhej të shpallej persona non – grata nga institucionet tona dhe do duhej t’i ndalohet hyrja në Kosovë ashtu sikurse Vuçiqit”, përfundoi Humolli. /tvarbëria/