Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Humbjet e mundshme amerikane në Siri pas rënies së Assadit

Humbjet e mundshme amerikane në Siri pas rënies së Assadit

Shkruan: Afrim Kasolli

Shumëkush do të habitet nga ky titull dhe do ta konsiderojë si non-sens logjik se si mund të ketë humbje një shtet demokratik nga rënia e një diktatori brutal dhe aleat i dy shteteve rivale kryesore të SHBA-ve, si Iranit dhe Rusisë. Kështu, disfatë reale në këtë rast, kanë pësuar vetëm Teherani dhe Moska, e jo shtete tjera. Nuk ka dyshim se në këtë drejtim ndryshimet që kanë ndodhur në Siri janë një fitore gjeopolitike edhe për Uashingtonin. E kam potencuar edhe herë tjera, se sipas burimeve të agjencisë botërore të lajmeve Reuters, pikërisht refuzimi i ish-diktatorit të këtij shteti për të përfillur kërkesën e administratës Biden për ndërprerje të furnizimit të Hezbollahut, nuk u përkthye në suspendim të sanksioneve për atë shtet.

Mirëpo, ajo që mund të shfaqet si humbje strategjike dhe me implikime për besueshmërinë e SHBA-ve, jo vetëm në rajon, por edhe me gjerë, do të varet në masë të madhe se çfarë drejtimi do të marrin zhvillimet e brendshme në Siri pas rënies së Bashar al-Assadit, me theks të veçantë konfiguracioni që do ta ketë ndarja pushtetit ndërmjet grupeve kryesore kryengritëse që ishin meritore në triumfin e revolucionit sirian. Apo sa do të ketë sukses të plotë Republika Turke në realizmin e synimeve strategjike në Siri me theks të vecantë kundër Forcave Demokratike Siriane të dominuar nga kurdët.

Analistë të ndryshëm ndërkombëtarë kanë vënë në pah se luftëtarët e këtyre forcave ishin meritore në terren në shkatërrimin e grupit ekstremist islamist të ISIS që kishte lëlzuar në Siri. Madje edhe sot në territorin e kontrolluar nga forcat kudre, mbahen në burgje deri në 10.000 pjestarë të këtij atij grupi që paraqet kërcenim për sigurinë globale. Ndërkohë, sipas Goul Tol në shkrimin “How Turkey Won the Syrian Civil Wr -Assad’s Downfall Is a Boon for Erdogan—at Least for Now”, nga këndvështrimi i Uashingtonit fuqizimi i forcave kurde u bë një imperativ strategjik i kohës, pas përpjekjeve të dështuara për ta bindur Republikën Turke të angazhohej me shumë kundër ISIS-it.

Frustrimi i Uashingtonit me indiferencën e Turqisë për aktivitetet e ISIS, nuk i la opsion tjetër më të mirë. Në anën tjetër, Ankaraja zyrtare e pa vetën të tradhtuar nga vendimi i aleatit të saj për t’i armatosur armiqtë e saj. Dhe nga thellim i antagonizmave ndërmjet këtyre dy vendeve të NATO-së kishte përfituar Rusia. Kjo solli edhe afrimin e presidentit turk, Rexhpo Erdodan me liderin rus Vladimir Putin. Madje inkursioni i forcave të shtetit turk në vitin 2019 në pjesën veriore të Sirisë, për të dëmtuar kapacitete luftëtarëve kurdë ishte bërë me lejen e liderit rus. Aranzhman ky, që sipas disa spekulimeve u bë në këmbim të blerjes nga Erdognai të sistemit mbrojtës S-400 nga Rusia, çfarë i përkeqësoi edhe më shume raportet ndërmjet këtij vendi dhe NATO-së.

Sidoqoftë, me qëllim që të shmangen dallimet strategjike për të ardhmen e Sirisë, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka udhëtuar drejt Ankarasë për t’u takuar me homologun e tij turk, Hakan Fidan. Mirëpo, këtu duhet kujtuar se në Shtëpinë e Bardhë nga janari i vitit të ardhshëm do të jetë presidenti Donald Trump. Dhe i njëjti ka deklaruar se Siria nuk është interes i SHBA-ve, prandaj angazhohet që sa më shpejt ta bëjë tërheqjen e ushtarëve amerikanë që gjenden ende në atë shtet. Sipas AP edhe gjatë mandatit të parë në vitin 2019, Presidenti Trump, u pajtua për largimin e trupave amerikane nga Siria në funksion të përmbushjes së zotimit të tij për t’i dhënë fund angazhimit të SHBA-ve në “luftëra të pafundme” në atë rajon. Ky veprim nxiti kritika të shumta atëbotë edhe nga republikanët tradicionale, duke e akuzuar atë, për tradhti ndaj aleatëve në terren. Për pasojë Trump u tërhoq nga kjo nismë duke e ndryshuar misionin tyre në funksion të sigurimit të fushave të naftës në lindje të vendit. Dhe ushtarët mbetën aty ku ishin kurse aleanca vazhdoi.

Mirëpo, riaktualizimi i një plani të tillë, pa e qartësuar pozicionin e Forcave Demokratike Siriane do t’i krijonte teren të lirë vetëm Republikës Turke (e cila edhe ashtu ka autoritet mbi Hayat Tahrir al-Sham dhe Ushtrinw Kombëtare Siriane) për ta minuar autonominë e tyre. Akt ky, që do t’i rikthente ankthet se si SHBA-të i braktisin aleatet e tyre, e që ishin më meritorët në luftë kundër ISIS-it.

Dhe nëse rënia e Assadit, e ka dëmtuar tej mase reputacionin dhe imazhin ndërkombëtar të Rusisë, si një fuqi e madhe dhe strehë për autokratët e ndryshëm, edhe distancimi i SHBA-ve pa një siguri për të ardhmen e FDS do të cenonte autoritetin e saj te ata që luftuan për krah saj në luftë kundër një të keqe globale. Një humbje kjo që SHBA-të duhet ta shmangin me çdo kusht./tvarbëria/

Themes by WordPress