Shkruan: Afrim Kasolli
Zgjedhjet lokale në Maqedoni të Veriut përfunduan saktësisht ashtu siç e kishte parashikuar, kryearti i Partisë Demokratike Shqiptare në atë shtet, Menduh Thaçi.
Politikani veteran i Tetovë disa herë kishte alarmuar se partia fituese në taborin maqedonas, VMRO DPMNE, ia doli që ta çimentoi fillimisht pushtetin e saj dhe e dyta nëpërmjet një kaste miope politike në pjesën shqiptare ta poshtëronte liderin shume vjeçar të BDI-se, Ali Ahmeti.
Ish-kryengritësi i disa luftërave çlirimtare kombëtare i transformuar në politikan, ose nuk e kuptoi këtë lojë, ose shpresonte se do të kishte një rezultat tjetër dhe në këtë mënyrë do të ri imponohej si faktori i vetëm legjitim në përfaqësimin e shqiptarëve në institucionet qendrore. Por në fund në vend të këtij qëllimi shqiptaret përfunduan te fragmentarizuar, ashtu siç ishte plani i Mickoskit. Menduh Thaci si duket nga përvoja e gjate e bashkëpunimit me Arben Xhaferin shihet qarte se e ka nuhatur jashtëzakonisht mire strategjinë maqedonase për defaktorizimin e shqiptarëve.
Nga të gjitha plagomat politike me të mëdha që e pësuan shqiptarët padyshim se më e dhimbshmja mbetet humbja e qytetit të Kërçovës. Ky qytet pas më shumë se një dekade do të drejtohet nga VMRO-DPMNE. Ekzistojnë dyshime se një gjë e tillë është bërë me ndihmën e votave të VLEN-it, koalicionit të disa partive shqiptare që janë në bashkëqeverisje me partinë fituese të zgjedhjeve në Maqedoni të Veriut. Po ashtu, spekulohet se VLENI ka ndikuar në orientimin e votave të shqiptarëve për VMRO-DPMN edhe në Luboten, një vend ku gjatë konfliktit në vitin 2001 kishte ndodhur maskara më e njohur kundër popullsisë civile, ku humbën jetën 12 civilë shqiptarë.
Sidoqoftë, përkundër këtij prapakthimi që e përjetuan shqiptarët është e domosdoshme që në rrethanat aktuale Ali Ahmeti dhe Menduh Thaci, ta gjejnë rrugën e bashkëpunimit, e para për ta mbajtur gjalle kauzën kombëtare në Maqedoni te Veriut, si dhe për ta përgatit një brez të ri politik në mbrojtje të interesit shqiptar.