Shkruan:Agron Hoti
Pse s’jemi të sinqertë përballë qytetarit?! Pse s’ia treguam kurrë të vërtetën?! S’ia treguam që vijën ndarëse veri-jug mbi Urën e Ibrit në Mitrovicë e kishte bërë publikisht KFOR-i edhe atë në qershor 1999, nuk e kishin bërë as shqiptarët e as serbët. Arsyeja e kësaj vije ndarëse kishte qenë e qartë: deportimi i shqiptarëve që u bë me dhunë e terror nga Millosheviqi, mos të përsëritej me zbrazje të tërësishme të serbëve, sepse në një rast të tillë NATO do të dilte para botës si e njëanshme, pra që i kishte kthyer shqiptarët nëpër shtëpi të veta dhe në anën tjetër i kishte përzënë serbët.
Kështu së paku do ta lexonte gjendjen Rusia e Kina me shumë aleatë që kishin qenë kundër ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë. Ashtu siç serbët do të donin një Kosovë pa asnjë shqiptar, edhe ne do ta donim një Kosovë pa asnjë serb. Këto ishin kërkesat maksimaliste. Por, NATO s’donte as njërën e as tjetrën, prandaj përmes Urës së Ibrit mundohej që para botës ta mbante balancin ndëretnik, kuptohet për aq sa kjo do të ishte e mundshme.
E ideja e NATO-s dhe Perëndimit ishte që veriu i Kosovës me kalimin e kohës të integrohej me pjesën tjetër duke mos u larguar serbët nga aty, kjo për ta krijuar kështu bazën për një shtet multietnik sa më të pranueshëm nga bota. Kështu edhe patën filluar përpjekjet për realizimin e këtij skenari edhe pse me shumë vështirësi e pengesa nga Serbia e mbështetur nga Rusia dhe disa aleatë proserbë evropianë. Trazirat e marsit të vitit 2004 ku u dogjën kisha serbe, në botë po lexoheshin si mungesë vullneti i shqiptarëve për një shtet multietnik.
Ka plot të tjerë që trazirat e marsit 2004 i shohin si përshpejtuese të pavarësisë së Kosovës. Gjithsesi, trazirat e marsit 2004 në sytë e botës e patën trasuar rrugën që serbëve në Kosovë u duhej përfaqësim i sforcuar politik, praktikisht këto trazira i hapën rrugën Zajednicës me të cilin po duhet të merremi edhe sot. Ka shumë politikanë sot që lozin patriotin e që kishin qenë pjesë e katrahurës së trazirave të marsit 2004. Në këtë frymë qenë orientuar pastaj edhe bisedimet për status në Vjenë, pastaj pavarësia dhe më pas edhe vetë shtetndërtimi i Kosovës.
E ne në Kosovë në vend që të përqendroheshim të gjithë në integrimin e veriut, filluam ta bëjmë atë axhendë politike kundër njëri tjetrit me qëllimin e vetëm pushtetmbetjen apo pushtetardhjen. Sepse nxitja e ndjenjave nacionaliste është njëri ndër instrumentet më të fuqishme për të mbetur apo ardhur pushtet, kjo është dëshmuar e stërdëshmuar në glob. Dhe në vend që të vazhdonim t’i jepnim mesazh botës se po mundoheshim ta integronim atë pjesë, ne bëmë të kundërtën, edhe atë autoritet që me shumë vështirësi e shtrimë në veri deri në 2020 e humbëm të tërin sot dhe tash bota po na akuzon se kemi lënë serbët pa përfaqësim politik dhe kjo po i jep material të mjaftueshëm Serbisë që ta fitojë garën para nesh te Perëndimi se Kosova i paskësh përjashtuar serbët nga jeta politike. Na pëlqeu apo jo, kjo kështu po lexohet nga Perëndimi, prandaj tash tërë presioni është kthyer tërësisht kah Kosova.
Dhe ne po harrojmë që sa më shumë që po i largohemi në kohë luftës së Kosovës, aq më pak qeveritë e ardhshme në SHBA, BE dhe gjëkundi do ta kenë parasysh se kush kishte qenë viktima e kush agresori në këtë luftë, edhe ajo pak ndjeshmëri e ngelur do të zhduket dalëngadalë dhe kjo do të shkojë në dëm tonin. Presidenti Biden është i fundit në SHBA që e njeh mirë problemin e Kosovë dhe Ballkanin. Shumë qeveri në Evropë as që e kuptojnë më sot gjenezën e problemit Kosovë-Serbi. Luftën në Ukrainë e kthyem në dëm tonin, ndërsa Serbia e cila pritej të humbiste nga kjo luftë, fitoi përballë nesh së paku hëpërhë.
E loja po zhvillohet në anën tonë e jo të Serbisë, sepse ne jemi ata që jemi bllokuar e izoluar asesi Serbia. Mjerisht kjo e fundit po fiton terren çdo ditë e më shumë në SHBA. Kurse neve që na ka shpëtuar SHBA, po largohemi prej saj. Sa për evropianët ende do të ishim nën pushtimin serb.
Në anën tjetër sa më shumë që po shtyhet problemi me Serbi, aq më i madh po bëhet, na pëlqeu kjo apo jo. Secila zgjidhje po na vjen më e keqe se tjetra. Merrni shembull Gazën, e cila praktikisht s’ekziston më, sepse vazhdon të jetë vegël e Iranit të nxitur nga Rusia dhe duke qenë e tillë vazhdon të refuzojë çfarëdo zgjidhje që po i propozohet nga Perëndimi, ndaj edhe sot s’është më as në hartë.
Duke e gënjyer qytetarin secili politikan më shumë se tjetri, edhe atë me radhë se jo ne do ta zgjidhim problemin me Serbi sapo ta marrim pushtetin, po izolohemi çdo ditë e më shumë nga Perëndimi. Shkëmbimin e tokave s’e deshëm, Zajednicën jo, mbështetje perëndimore dhe fuqi tonën ushtarake s’kemi për ta shporrë Serbinë nga veriu, e ku n’hamam duam ta bëjmë vendin.
Kështu siç po i ikim problemit ka për të ardhur shpejtë dita, kur Perëndimi s’ka për të na ofruar më as shkëmbim territoresh, as Zajednicë të 2013-të, as Samoupravnicë të 2023-të, por më së paku autonomi për serbët e veriut.
Ne po mendojmë që duke e zvarritur problemin po i bëjmë dëm Serbisë. E realiteti është se Serbia e nxitur nga Rusia do pikërisht zvarritje të problemit, sepse me zvarritje humbëse po del Kosova, sepse Kosova po ngecën ekonomikisht. Me kërkesa jorealiste, merr rezultate minimaliste. S’qemë në gjendje t’i dallojmë asnjëherë ëndrrat nga realiteti.
E gjatë gjithë kësaj kohe sa do të vendnumërojmë, fqinjët do të ecin përpara, ndërsa ne do të ngecim duke e lypur tradhëtarin e patriotin duke kontribuar kështu me apo vetëdije drejt zbrazjes së frikshme të vendit si interes historik serb e rus. Nuk ka asgjë më vrastare për të ardhmen e një vendi sesa humbja e kohës. Të gjitha kthehen, veç koha jo. E koha në shekullin 21 është para e flori.