Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të diplomatit amerikan Frank Wisner, të cilin e ka cilësuar si një kolos të diplomacisë dhe një mendje të thellë.
Në një postim në rrjetet sociale, Hoxhaj kujtoi rolin kyç të Wisnerit si Përfaqësues i SHBA-së për Bisedimet mbi Statusin e Kosovës, duke theksuar se pati nderin të bashkëpunonte me të gjatë Procesit të Vjenës, i cili kulmoi me shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
“Pata fatin ta njoh dhe nderin të bashkëpunoj me të gjatë kohës kur isha anëtar i Grupit të Procesit të Vjenës, nga ku rezultoi shpallja e pavarësisë së Kosovës. Ai ishte dhe do të mbetet gjithmonë një mendje e thellë dhe një nga diplomatët më me ndikim të kohës sonë,” ka shkruar Hoxhaj.
Ai shtoi se kujtimi dhe trashëgimia e Frank Wisnerit do të jetojnë përjetë, duke vlerësuar kontributin e tij në momentet vendimtare të shtetformimit të Kosovës.