Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Hoxhaj në Forumin e Berlinit për Politikë të Jashtme, takohet me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian

Hoxhaj në Forumin e Berlinit për Politikë të Jashtme, takohet me përfaqësuesin e Bashkimit Evropian

Enver Hoxhaj, Zëvendëskryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-Ministri i Punëve të Jashtme, po merr pjesë në Forumin e Berlinit për Politikë të Jashtme, organizuar nga Körber Stiftung.

Ky forum prestigjioz, i cili mbledh politikanë, diplomatë dhe ekspertë të politikës së jashtme nga mbarë bota, është një platformë kyçe për diskutimet mbi sfidat aktuale globale dhe të ardhmen e politikës ndërkombëtare.

Në hapjen e forumit, Hoxhaj ishte i pranishëm në fjalimin e ministres së jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, e cila theksoi rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit ndërkombëtar për përballimin e sfidave globale.

Gjatë pjesëmarrjes së tij, Hoxhaj zhvilloi një takim të rëndësishëm me Luigi Di Maion, ish-ministrin e jashtëm të Italisë dhe përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për shtetet arabe në regjionin e Gjirit.

“Bashkëbisedim për Kosovën, Evropën dhe Lindjen e Mesme me ish-ministrin e jashtëm të Italisë dhe Përfaqësues i BE-së në shtetet arabe në regjionin e Gjirit, Luigi Di Maio – një mik i veçantë i Kosovës!”, ka shkruar Hoxhaj.

Me pjesëmarrjen e tij në këtë forum, Hoxhaj ka rikthyer në vëmendje angazhimin e Kosovës për të thelluar lidhjet diplomatike dhe për të ndarë përvojën e saj për stabilitetin në Ballkan.

Powered by WordPress