Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar para mediave se e ka bërë të qartë edhe njëherë kërkesën e SHBA-së për shtyerjen e zbatimit të vendimit për përdorimin e vetëm të valutës euro dhe të largohet dinari.
Hovenieri tha se me këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, ekziston “rreziku për tensione”.
Kjo çështje, sipas Hovenierit, do më shumë seriozitet.
“Me Kurtin vazhdojmë të diskutojmë, nuk dua të deklarohem sot për këtë. Po flas për qëndrimin e SHBA-së”, tha tutje ai.
Në një deklaratë zyrtare të lëshuar sot nga BE-ja lidhur me vendimin e BQK-së, thuhet se ata janë të shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës.
“Bashkimi Evropian merr parasysh rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila pritet të hyjë në fuqi sot. Rregullorja synon të rrisë transparencën e flukseve financiare, të sigurojë stabilitetin financiar dhe të luftojë pastrimin dhe falsifikimin e parave. BE-ja vëren se rregullorja do të ndikojë edhe në mbështetjen financiare që serbët e Kosovës marrin nga Serbia.
BE-ja është e shqetësuar për pasojat që ky vendim mund të ketë në jetën e përditshme të serbëve të Kosovës dhe komuniteteve të tjera në mbarë Kosovën për shkak të mungesës së konsultimeve paraprake, veçanërisht për ndikimin e tij në shkolla dhe spitale, duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment”, thuhet mes tjerash në deklaratën e BE-së.
BE tutje në këtë deklaratë ka insistuar që kjo çështje të përfshihet në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, si dhe të gjendet një zgjidhje.
Derisa, ditën e djeshme, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, tha se vendimi i BQK-së e cila e përjashton dinarin si valutë për kryerje të transaksioneve në Kosovë, nuk mund të shtyhet dhe si i tillë vendime të tilla duhet zbatuar.
Ai ka deklaruar se pozicioni i institucionit që ai e udhëheq nuk është politike dhe se rregullat që vendosen duhen zbatuar. Ismaili ka përmendur edhe bankën serbe që është afër mbylljen, “Komercjalna Banka”, për të cilën tha se është përdorur për transport të këtyre mjeteve.
“Pozita e BQK-së nuk është politike. Ne vendosim rregulla dhe ato duhet zbatuar. Nëse për zbatimin e rregullave duhet një kohë e arsyeshëm, është çështje që për neve këto janë rregulluar. Bile deri dje, se ka plot lloj deklarimesh që thonë se ka qenë e rregulluar, deri në fund të janarit kanë mund të hynë mjete transportuese në Kosovë me bo kesh dhe si ta fusin në Kosovë ta dërgojë ku ka dashtë. Për fatin e keq edhe Banka që ka qenë e licencuar ‘Komercjalna Banka’, e që tash është në proces të përmbylljes, është përdorur si arsyeje për transport por në të vërtetë në bazë të të dhënave që ka deklaruar në BQK, nuk përputhen me volumin e transaksionit që ka deklaruar. Që i bie qe BQK nuk ka arritur ta shikojë në mënyrë efektive edhe operimin e vet bankës që ka operuar në atë kohë”, tha ai./TV Arbëria