Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka deklaruar se ShBA dënon fuqishëm sulmin ndaj një patrulle të EULEX-it, mbrëmë në veri të vendit. Hovenier, tha se sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë ndërkombëtare janë të papranueshme.
“Përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi përmes sistemit të drejtësisë së Kosovës”, shkroi ai në Twitter.
Minuta më parë, EULEX njoftoi se ndaj një patrulle vëzhguese të tyre në Rudare është hedhur një bombë çorientuese (shok-bombë), nga e cila nuk ka lëndime në njerëz e as dëme materiale.
“Ne i dënojmë fuqishëm aktet e dhunshme të kryera nga persona të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë kundër komunitetit ndërkombëtar”, thuhet në reagimin e tyre.