Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Hoti thotë se Kurti e varfëroi Kosovën

Hoti thotë se Kurti e varfëroi Kosovën

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka deklaruar se politikat e Qeverisë Kurti e kanë varfëruar Kosovën dhe kanë bërë që zhvillimi ekonomik të ngecë “në mungesë të investimeve të mëdha publike”.

Hoti ka shkruar në Facebook të martën se gjatë qeverisjes së kryeministrit Albin Kurti, është rritur kostoja e energjisë dhe e tatimit, por jo edhe pensionet dhe pagat.

“Krejt politikat fiskale të Qeverisë Kurti përmblidhen në uljen e tatimit në paga për 6.8 euro, i cili hyn në fuqi nga shtatori. Ja sa ‘të thella’ janë politikat fiskale në këtë mandat qeverisës!!! Vendi është varfëruar pasi inflacioni i ka ulur pagat reale me rreth 1/3. Pagat në sektorin publik nuk janë rritur, së paku nominalisht për tu mbrojtur nga inflacioni. As pensionet dhe përfitimet e tjera nuk janë rritur, përjashto ndihmat e njëhershme. Por energjia dhe tatimi në pronë janë rritur, së bashku edhe me rritjen enorme të çmimit të ushqimeve”, ka thënë Hoti.

Sipas deputetit të partisë në opozitë, rreth 1 miliard euro nga mjetet e planifikuara në investime kapitale nuk janë shpenzuar.

“Investimet e komunave, sado që janë të vogla, janë penguar përmes vonesave në alokimin e mjeteve nga Qeveria. Investimet e jashtme janë reduktuar në shpenzimet e mërgimtarëve kryesisht në patundshmëri, pasi investime nga kompanive të huaja pothuajse nuk ka fare”, ka shtuar ai.

Ai e ka akuzuar Kurtin edhe për prishje të raporteve me ndërkombëtarët.

“Kjo është e kuptueshme pasi Kurti dhe koalicioni i tij me Osmanin dhe të tjerët e kthyen Kosovën në problem të sigurisë për aleatët. Qasja e tyre, e bazuar në agjenda politike lokale dhe e paakorduar me aleatët, e bllokoi agjendën euro-integruese të Kosovës, i bllokuan njohjet e reja dhe anëtarësimet në organizma ndërkombëtarë dhe e ktheu Kosovën prapa. Sot, Kosova shihet nga aleatët jo si një vend me sfida për integrim euro-atlantik, por si një vend me sfida të sigurisë rajonale, ku duhet rritur praninë e KFOR-it, e duhet vizituar nga zyrtarët më të lartë të inteligjencës”, ka shkruar Hoti.