Shkruan: Agron Hoti – Serbia, si çdo pushtues në botë, vazhdimisht mundohej me çdo çmim të pengonte shkollimin e shqiptarëve, sepse e dinte që Evropa, sapo kishte ndarë fenë nga shteti e shkolla dhe kishte investuar në shkolla e universitete ishte bërë prijëse e zhvillimit shkencor dhe industrial të botës. Njëjtë sikurse Serbia kishte vepruar ndaj shqiptarëve dhe pushtuesi osman. Sepse ishte shkolla shqipe që e pengonte si planin serb ashtu edhe atë osman për tjetërsimin kombëtar dhe shfarosjen e shqiptarëve, e jo feja.
Ishte Adem Demaçi, Ukshin Hoti dhe studentët shqiptarë që përndiqeshin e burgoseshin nga pushtuesi serb e jo fetarët. Ishte Adem Jashari dhe luftëtarët e UÇK-së që përndiqeshin, burgoseshin e vriteshin nga Serbia e jo fetarët. Edhe sot në Hagë janë duke u gjykuar Krerët e UÇK-së pikërisht pse ia arritën ta largonin Serbinë nga tokat shqiptare. Ishin patriotët shqiptarë që historikisht i përndiqte e vriste Serbia e jo fetarët. Më kot qenë munduar Serbia e Rusia t’i jepnin karakter fetar luftës së UÇK-së.
Pra, qëllimi i Serbisë e Rusisë ishte që lufta e UÇK-së të muxhahedinizohej, talebanizohej, xhihadizohej e isisizohej, sepse nëse kjo do të arrihej, atëherë qërimi i hesapeve me shqiptarët do të ishte vetëm çështje kohe. Dhe meqë Serbia e Rusia s’arritën ta fetarizonin luftën e UÇK-së, po mundohen tash pas luftës të cakojnë familje emblematike shqiptare për t’i fetarizuar ato dhe për t’i thënë më pas botës që shqiptarët luftuan për fe e jo për komb.
Shqiptarët nën Jugosllavi vetëm me demonstrata e gjak fituan të drejtën e përdorimit të simboleve kombëtare shqiptare si dhe shkollimi shqip. Universiteti i Prishtinës u hap në vitin 1970 dhe u mbyll në 1991, pra shqiptarët nën Jugosllavi zyrtarisht nëpër objekte universitare patën universitet vetëm 21 vite. Nga viti 1945-1970 dhe 1991-1999 shqiptarët ishin pa universitet, ndërkohë që ishin populli i tretë për nga numri pas serbëve dhe kroatëve. Pra, 33 vite pa dhe 21 vite me universitet, kjo ishte gjendja e shkollimit të shqiptarëve nën pushtimin e Serbisë nën maskën e Jugosllavisë.
Ndërkohë që hapja e Medresës në Prishtinë u bë në vitin 1951, e që u avansua në vitin 1970 pikërisht në kohën kur u hap Universiteti i Prishtinës. Për shkak të luftës së pandërprerë shqiptare për hapje të shkollave shqipe, për simbole kombëtare shqiptare, për Kosovën republikë si të barabartë mes të barabartave dhe për universitet janë përndjekur, torturuar, burgosur, vrarë e zhdukur pa gjurmë dhjetëra mijëra shqiptarë, ndërkohë që mijëra janë shpërngulur me dhunë në Turqi. Nuk ishte rastësi që shqiptarët nën pushtimin jugosllav përbënin numrin më të madh të të burgosurve. Serbia nuk i përndiqte shqiptarët që merreshin me fe.
Ndërsa për hapje dhe avansim të Medresës nuk ka luftuar askush. Prandaj, Serbia lejoi në 1951 hapjen e Medresës, pastaj në vitin 1970 avansimin e saj. Përderisa Serbia në periudhën 1991-1999 mbylli shkollat dhe universitetin, kurrë s’e mbylli Medresën dhe xhamitë. Pushtimi jugosllav përndiqte ata shqiptarë që lexonin historinë kombëtare shqiptare, e asesi ata që lexonin libra fetarë.
Pra, Serbia na thonte neve shqiptarëve: „jo“ shkolla shqipe e universitet, ndërsa „po“ fe arabo-turke. Ndërkohë që Serbia, kishat ortodokse i përvetësoi që të gjitha për t’i thënë Evropës se këta që po shkojnë në Medrese e xhamia janë ca turq (asesi shqiptarë), të cilët duhet deportuar në Turqi, siç në fakt edhe bëri Serbia.
Asgjë s’ka ndryshuar as sot. Mega-investimet turko-arabe të mbështetura fuqishëm nga Serbia e Rusia për xhamijëzimin e Kosovës dhe tërë hapësirave shqiptare kanë të njëjtin qëllim: tjetërsimin kombëtar të shqiptarëve.
Sikur Serbia dhe Rusia vërtetë ta kishin dashur popullin shqiptar do të kishin ndërtuar kisha katolike e ortodokse dhe shkolla e universitete. Por jo, shkollat e universitetet na i mbyllën, ndërsa kishat ortodokse na i përvetësuan dhe na i lanë vetëm xhamiat. Në vite të 90-ta policia e Serbisë të torturonte nëse të kapte me libra shqip, e asesi me libra fetarë.
Prandaj, shqiptarët edhe sot duhet lartësuar kombin para fesë. Duhet ditur kë kanë mik e kë armik. Rreshtimi i shqiptarëve përkrah Palestinës është interesi më i madh serb e rus, sepse janë vetë Serbia dhe Rusia që mbështesin Palestinën. Është vetë Rusia dhe Kina që instrumentalizojnë Iranin që instrumentalizon Hamasin, Hezbollahun, Sirinë, një pjesë të Irakut dhe Jemenit vetëm e vetëm për ta sfiduar Turqinë, SHBA-në, Vendet Arabe dhe Izraelin në Lindje të Mesme. Shqiptarët duhet të kërkojnë marrëveshje e paqe në Lindje të Mesme e jo të mbështesin Palestinën që hapur është me Serbinë.
Paramendoni, Palestina e mbështeti Millosheviqin që preu mijëra shqiptarë, edhe sot e kundërshton pavarësinë e Kosovës. Asnjë deklaratë politike s’e dha Palestina kundër agresionit terrorist që Serbia bashkë me Rusinë ndërmorën në veri të Kosovës më 24 shtator 2023. Pse ne duhet të merremi atëherë me Palestinën që hesht ndaj terrorit serb në Kosovë? Ndërkohë që Izraeli, himnit të të cilit i fishkëllonin mbrëmë në stadiumin „Fadil Vokrri“ në lojën mes Kosovës dhe Izraelit, është mik i shqiptarëve, ka njohur pavarësinë e Kosovës, është mik i SHBA-së që bëri edhe Shqipëri edhe Kosovë.
Prandaj, institucionet e Kosovës duhet të ndalin së shikuari qytetarin vetëm si votë, sepse duke i shikuar kështu, shqiptarët asnjëherë më shumë se sot nuk kanë qenë më të ekspozuar përballë rrymave të ndryshme të rrezikshme lindore në thelb antishqiptare. Fundja shqiptarët nën pushtimin romak, bizantin, osman e sllavo-grek kanë ekzistuar vetëm në mendje të shqiptarëve por kurrë në harta dhe letër, ndërkohë që sot shqiptarët jetojnë me mendje si shqiptarë, në harta dhe letër.
/TV Arbëria