Ish-deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka reaguar lidhur me projektet energjetike “Kosova e Re” dhe centrali me gaz, duke i cilësuar ato si ndër projektet më strategjike për të ardhmen e Kosovës.
Sipas Hotit, të dy projektet kanë pasur mbështetjen e Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kanë pasur rëndësi të veçantë ekonomike dhe politike për vendin.
“Dy projektet madhore energjetike, ‘Kosova e Re’ dhe ‘Centrali i gazit’, mbesin padyshim projektet më strategjike të Kosovës sot dhe për dekadat në vijim”, ka shkruar ai.
Hoti theksoi se projekti “Kosova e Re” ishte kontraktuar me një kompani amerikane, ndërsa centrali me gaz ishte pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit.
“Të dy projektet kanë qenë të mbështetura nga aleati strategjik i Kosovës: Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai.
Ish-kryeministri kritikoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për anulimin e këtyre projekteve.
“Sot, secili e ka të qartë se anulimi i këtyre projekteve strategjike nga Kurti, mbështetur nga individë të shumtë në politikë dhe në shoqërinë civile, ka qenë veprim anti-shtetëror dhe anti-amerikan”, u shpreh Hoti.
Ai pretendoi se kundërshtimet ndaj projekteve ishin të pabazuara dhe se argumentet për ndotjen e mjedisit janë përdorur për të mashtruar opinionin publik.
“Fushata mashtruese për gjoja ndotje të ambientit … ka qenë maskim i Kurtit dhe i mbështetësve të tij për mashtrimin e publikut”, ka deklaruar ai.