Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se para takimit të 27 shkurtit në Bruksel, kryeministri Albin Kurti duhet të informojë Kuvendin rreth procesit të dialogut.
Një debat para ditës së hënë, sipas Hotit, do të ishte edhe në interes të kryeministrit për të formalizuar qëndrimet e tij mbështetur edhe në një rezolutë të Kuvendit të Kosovës.
Në seancën plenare, ish-kryeministri i Kosovës, ka thënë se për qytetarët dhe për Kuvendin, ende është e paqartë se çfarë pozicioni do të mbajë qeveria në takim me palën serbe në Bruksel.
Hoti: Kurti duhet të tregojë cila është përmbajtja e plotë dhe finale e planit franko-gjerman
“Cila është përmbajtja e plotë dhe finale e planit franko-gjerman, cili është qëndrimi i qeverisë ndaj këtij plani, përveç deklarimit që është bazë e mirë për negocim më tutje. Çfarë vërejtje janë dërguar lidhur me këtë plan në fund të vitit të kaluar, cili është qëndrimi i kryeministrit ndaj marrëveshjeve paraprake, në veçanti për marrëveshjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. A është kryeministri kundër kësaj marrëveshje siç e kanë kundërshtuar në dhjetë vitet e fundit me akte të dhunshme dhe jo demokratike apo është pro me disa kushte që i ka prezantuar që unë besoj janë vetëm sa për të ruajtur fytyrën apo është kjo çështje e mbyllur sikur që u deklarua presidentja për çështjen e demarkacionit”, ka thënë Hoti.
Lidhur me këto, Hoti ka thënë se duhet të ketë debat në Kuvend para ditës së hënë.
Hoti: Është e domosdoshme të ketë debat në Kuvend para takimit të 27 shkurtit në Bruksel
“Besoj është obligim kushtetues të informohet kuvendi i Kosovës për këto çështje, besoj që është e domosdoshme që ky debat të kryhet para të hënës dhe kjo është edhe në interes të kryeministrit për të formalizuar qëndrimin e tij të mbështetur edhe më një rezolutë të kuvendit të Kosovë”, ka thënë Hoti.
/TV Arbëria