SHKRUAN: AGRON HOTI
Për ata shqiptarë që po derdhin sot “lot krokodili” për arrestimin e kryetarit të Venezuelës nga amerikanët, dua t’ua rikujtoj (edhe pse jam i bindur që e dinë mirë, por gjithçka varet sa mbrapsht janë të rreshtuar) se bota, që nga ekzistenca e saj, është udhëhequr gjithmonë nga i forti.
Historikisht, kanë qenë perandoritë dhe mbretëritë ato që kanë bërë ligjin ndërkombëtar. Më pas, këtë rol e morën kombet dhe shtetet e fuqishme (Fuqitë e Mëdha), ndërsa në 70–80 vitet e fundit kemi fuqi rajonale dhe superfuqi që e përcaktojnë rendin ndërkombëtar dhe vetë të drejtën ndërkombëtare. Një thënie thotë: “ligjin e bën Maliqi (i forti)”. Prandaj, do të ishte e paparamendueshme që një shtet i vogël si Luksemburgu apo Monako ta bënte ligjin ndërkombëtar.
Grekët, persët, romakët, arabët, mongolët, vikingët, osmanët, spanjollët, portugezët, francezët, anglezët, rusët, serbët, etj., me krenari vazhdojnë t’i quajnë edhe sot pushtimet e tyre si zgjerim dhe kulminacion të qytetërimeve të tyre. Ka qenë pikërisht fuqia e tyre që ka bërë ligjin ndërkombëtar. Ndërsa popujt që kanë jetuar nën pushtimet e tyre, të njëjtën periudhë me plot të drejtë e quajnë pushtim, shtypje dhe shfrytëzim. Kështu, popujt e shtypur kanë qenë vetëm shikues të ligjit ndërkombëtar të bërë gjithmonë nga fuqia.
Për shkak të këtyre pasojave të rënda që na kanë lënë pushtuesit (siç lë gjëkundi çfarëdo pushtuesi tjetër), janë po ata shqiptarë – të rreshtuar sot kundër SHBA-së në veçanti dhe Perëndimit në përgjithësi – që njëkohësisht lartësojnë pushtimet jugosllave/serbe e osmane, ndërkohë që s’lënë figurë patriotike shqiptare pa e ulur dhe poshtëruar, duke filluar nga Skënderbeu, Rilindasit, Ismail Qemali e deri te Adem Demaçi, Krerët e UÇK-së dhe çfarëdo figure tjetër kombëtare shqiptare.
Vetë fakti që shumica e dëshmitarëve kundër Krerëve të UÇK-së në Gjykatë Speciale në Hagë janë shqiptarë, e vërteton ndikimin e madh që Serbia dhe Rusia vazhdojnë ta kenë mbi një pjesë jo të vogël tonën. Kjo sepse është vetë Serbia e Rusia me aleatë të tyre që s’kanë lënë dhe s’lënë gur pa lëvizur në glob për ta kriminalizuar luftën e UÇK-së, sepse ”ku dhemb dhëmbi shkon gjuha”, që i bie se Serbisë e Rusisë më së shumti u dhemb suksesi i papërsëritshëm historik i UÇK-së dhe i tërë asaj vije patriotike që historikisht i ka kthyer pushkën dhe i ka rezistuar me ç’ka pasur dhe mundur.
Ndërkohë, pushtuesit tanë, të lartpërmendur, jo vetëm që s’na kanë kërkuar falje për pushtimet dhe tmerret e tyre mbi ne, por përkundrazi vazhdojnë të investojnë pafund për të na e ndryshuar me çdo kusht historinë, pra për të na detyruar që historia jonë t’i lartësojë pushtuesit dhe poshtërojë çlirimtarët tanë.
Janë vetëm dy popuj të mëdhenj në glob që kanë kërkuar falje para botës për veprimet e tyre gjatë zgjerimeve dhe pushtimeve. Të tjerët, përkundrazi, me krenari i këndojnë së kaluarës së tyre, pavarësisht se sa kriminale kanë qenë pushtimet e tyre në kurriz të popujve të shtypur.
Por, pyetja që do të duhej shtruar për këta dy popuj kërkimfalës është kjo: po të mos e kishte fituar SHBA Luftën e Dytë Botërore (L2B) pikërisht mbi Gjermani dhe Japoni, a do të kishin kërkuar falje këto dy shtete? Përgjigja është sigurisht “jo”. Sepse, nëse askush tjetër më parë nuk kishte kërkuar falje, pse do të duhej ta bënin një gjë të tillë vetëm gjermanët dhe japonezët.
Ne shqiptarët jemi shumë me fat që jemi përkrah superfuqisë së SHBA-së, e cila drejton Perëndimin, pjesë e të cilit jemi edhe ne. Pa ombrellën e sigurisë që edhe sot na e ofron SHBA-ja, populli shqiptar do ta kishte pasur seriozisht të rrezikuar ekzistencën e tij. Nën pushtues të tjerë, nuk ekzistonim fare në hartë, sot ekzistojmë, bile me siguri e mirëqenie që nuk i kemi pasur kurrë, as përafërsisht, në historinë tonë.
Paramendoni një botë ku SHBA-ja nuk do ta mbronte Perëndimin dhe ne shqiptarët. Një botë ku Rusia, në mungesë të SHBA-së, pa asnjë dyshim do ta kishte pushtuar Lindjen e Mesme, Azinë Qendrore dhe pjesën më të madhe të Afrikës, si dhe Evropën Lindore e Juglindore. Ku Kina, Rusia dhe Japonia do të ishin në një luftë të tmerrshme për kontrollin e Indo-Pacifikut. Ku rivaliteti gjermano-franko-anglez i nxitur edhe nga jashtë do ta mbante Evropën në luftë të brendshme dhe të vazhdueshme.
Në një gjendje të tillë, ekzistenca e popullit shqiptar do të ishte vënë seriozisht në pikëpyetje. Dhe pyetja kryesore do të ishte kjo: a do të ekzistonte ligji ndërkombëtar për shqiptarët në një botë, ku i gjithë globi do të ishte në luftë dhe ku shqiptarët do të kishin ngelur pa kurrfarë mbështetje nga jashtë?
Prandaj, ata shqiptarë që sot derdhin “lot krokodili” për arrestimin e Maduros duhet ta dinë se, sa i përket ligjit apo drejtësisë ndërkombëtare, ne shqiptarët pa ndihmën e Perëndimit të udhëhequr nga SHBA-ja do të ishim saktësisht siç na ka “dashur” Serbia e Rusia. Madje, sa për ligj dhe të drejtë ndërkombëtare, përpos që ende do të ishim nën Serbi e Rusi, nuk do të na jepej kurrë mundësia që si shqiptarë t’i komentonin ngjarjet botërore, edhe atë jo se nuk do të donim, por se nuk do të ekzistonim pa ndihmën e SHBA-së.