Shkruan: Agron Hoti
BE – Mes rritjes së sigurisë dhe mirëmbajtjes së ekonomisë
Sipas të dhënave të Komisionit Evropian “në tremujorin e dytë të vitit 2024, shumica e importeve të BE-së të vajrave të naftës erdhi nga SHBA (15.1%), Norvegjia (14.1%) dhe Kazakistani (11.7%). Pjesa më e madhe e gazit natyror në gjendje të gaztë erdhi nga Norvegjia (43.5%), pasoi Algjeria me 21.6%, përpara Rusisë me 15.5%. Shtetet e Bashkuara siguruan pothuajse gjysmën e gazit natyror të lëngshëm të importuar (46,0%), përpara Rusisë (16,8%) dhe Katarit (11,9%).”
Në terma politikë të dhënat e mësipërme i bien kështu: Që pas agresionit rus në Ukrainë në shkurt 2022, Bashkimi Evropian (BE) menjëherë u kthjell dhe filloi të shkëputet nga energjia ruse për t’u shkëputur tërësisht nga ajo deri në vitin 2030. Pra, evropianët janë duke e prishur aleancën e lidhur me Rusi që pati filluar me ardhjen e Putinit në pushtet në Rusi në 2000 dhe që pati kulmuar në vitin 2022 ku BE po projektonte të ardhme të përbashkët energjetike me Rusinë deri në vitin 2050.
Ky kthim i BE-së kah SHBA përbën lajm shumë të mirë për shqiptarët, sepse sa më shumë që Rusia po e fuste nën kontroll BE-në nga viti 2000-2022 aq më shumë po forcohej aparati i Millosheviqit me Vuçiçin në krye të tij, e aq më shumë po defaktorizoheshin shqiptarët.
Braktisja e energjisë ruse e ktheu BE-në kah energjia amerikane, norvegjeze, Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore. Ky ridimensionim i politikave ekonomike dhe për më tepër energjetike bashkë me kërkesën e SHBA-së ndaj BE-së për rritje të shpenzimeve ushtarake përballë një Rusie që po synon pushtimin e BE-së kanë goditur ekonominë e kësaj të fundit e sidomos me zvogëlim eksportesh që po rrit papunësinë, rritje inflacioni si rezultat i rritjes së çmimit të energjisë që po zvogëlon fuqinë blerëse dhe rrjedhimisht po rrit papunësinë dhe përgjithësisht humbje tregjesh në Azi si rezultat i konflikteve atje dhe shokut ekonomik që po sjellin ato.
Po pse konfliktet në glob godasin ekonomikisht shumë më tepër BE sesa SHBA-në? Sepse sipas të dhënave të “World Bank Group Open Data” në vitin 2022 SHBA kishte eksportuar (mallra dhe shërbime) vetëm 11.6% të GDP-së së saj, kurse BE 52.7% të GDP-së (viti 2023), që i bie se BE është shumë më e varur nga eksportet sesa SHBA. Kështu që konfliktet në Lindje të Mesme dhe në Ukrainë kanë goditur ekonominë e BE-së.
Dhe tash nëse BE dëshiron që të ketë qetësi në glob duhet të investojë shumë më shumë në siguri, diçka që SHBA në vazhdimësi po ia kërkon BE-së duke filluar nga Presidenti Obama, pastaj Trump 1, Biden dhe Trump 2. Siç dihet, BE që nga Lufta e Dytë Botërore e deri me sot ka përfituar shumë nga shpenzimet e ulëta në fushën e sigurisë duke qenë se ishte SHBA ajo që po e garantonte sigurinë e BE-së dhe tërë Evropës. Por, kjo nuk do të vazhdojë pafundësisht kështu. Ardhja e Presidentit Trump vetëm sa do ta rrisë presionin mbi BE që t’i rrisë shpenzimet në fushën e sigurisë.
Dhe meqë tashmë gara e zhvillimit ekonomik është zhvendosur në Azi Lindore dhe Juglindore, atëherë edhe përqendrimi i SHBA-së do të jetë kryesisht atje, për ta frenuar kështu Kinën dhe pse jo edhe Japoninë si dy forcat kryesore rivale atje, të cilat duke qenë që të dyja të varura nga importi i energjisë mund ta sfidojnë sigurinë e SHBA-së në Indo-Pacifik.
Duke e parë një SHBA gjithnjë e më të përqendruar në Azi dhe një BE gjithnjë më të shqetësuar me siguri, atëherë ka shumë gjasa që Kosova ta vazhdojë statuq quonë e moszgjidhjes së problemit me Serbi. E është pikërisht ky interesi i Serbisë që problemi i Kosovës mos të zgjidhet asnjëherë. Serbia bëri të pamundurën që t’ia djegte Kosovës kartën e Administratës Biden që njihte më së miri problematikën e Kosovës. Shkuan katër vite të Biden dhe tash kemi Trump, i cili do të jetë i preokupuar kryesisht me zhvillimet në Azi.
Ndërkohë që Kosova do të vazhdojë të vendnumërojë, me ikje të paparë rinie dhe profesionistësh dhe me një klimë brutale përçarëse mes politikës, shoqërisë dhe diasporës sonë. Kjo gjendje do të vazhdojë ta mbajë Kosovën sikur në mjegull ku nuk do të ketë asnjë forcë të arsyeshme që do të mund të shtyjë diç përpara. Thonë: “Njëherë vjen vera kah dera”.
Prishtinë, më 13 nëntor 2024
A. H.