Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kulturë-Histori > Homazhi poetik në kujtim të Adem Gashit hap Festivalin Poetik të Prishtinës

Homazhi poetik në kujtim të Adem Gashit hap Festivalin Poetik të Prishtinës

Festivali Poetik i Prishtinës u hap me një Homazh poetik kushtuar shkrimtarit Adem Gashi, i cili u nda nga jeta më 16 janar të këtij viti.

“Festivalin Poetik të Prishtinës e hapëm me një Homazh Poetik kushtuar shkrimtarit maestral, shumë të dashtunit Adem Gashi.
Aktori i mirënjohur Nimon Muçajn, përmes leximit të një cikli poetik na solli zërin autentik të Ademit.

Ishte përjetim i veçantë pastaj, kur për disa minuta në formatin e video-poezive, realizuar kohë më parë nga ObserverKult, risollëm në ekranin e madh, Ademin duke lexuar disa nga lirikat dashurore të tij.

 

 

E pamë dhe ridëgjuam timbrin e zërit të Ademit tek lexonte lirikat e tij të punume me aq finesë, siç bënte rëndom me secilën poezi të tijën.

Për krijimtarinë e Ademit foli shkrimtari Emin Z. Emini, duke shpalosur një vështrim prej miku e prej studiuesi, njëkohësisht.
Me një pikë të jashtëzakonshme instrumentale, t’mbushun dashni e dhimtë, muzikantët Astrit Stafai dhe Artan Rexhepi përmes tingujsh u ndërlidhën me poezinë e Ademit.

Dhe për fund, i biri i poetit, Dardan A Gashi, njerëzor dhe fisnik, foli me zërin e zemrës për babain e ndjerë.
Programi i Festivalit, vazhdoi me takime letrare me katër të ftuar special, me Dije Demiri Frangun, Rita Petron, Ahmet Selmani dhe Ag Apolloni, secili më i mirë se tjetri, secili më i lexueshëm se tjetri, secili me i veçantë se tjetri, e që të gjithë bashkë, përfaqësues fort të denjë te letërsisë së sotme shqipe.

Pas diskutimeve secili prej tyre solli pjesë nga krijimtaria, përcjellur në kitarë nga Naser A. Dula.
Faleminderit të gjithëve !’-shkruan Donika Dabishevci.

Powered by WordPress