Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka reaguar me ironi ndaj debatit rreth figurës së ish-presidentit Hashim Thaçi dhe iniciativave politike për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Berisha ka ironizuar përplasjen mes thirrjeve “Shko Hashim!” dhe “Rri Hashim!”, duke e lidhur atë me, siç shprehet ai, “paditurinë (intelektualitetin) kosovar”.
“Qe me çka krenohet padituria (intelektualiteti) kosovar?!”, ka shkruar Berisha.
Ai ka shtuar se, sipas këtyre zhvillimeve, titulli i ri në letrën e Albin Kurtit do të duhej të ishte “Rri, Hashim!”, duke pretenduar se kjo do t’i shërbente zgjatjes së qëndrimit të Thaçit në Hagë.
“Rri, Hashim!”, edhe nja dhjetë vjet sa ti kahet lokja shtetit të Kosovës”, ka shkruar Berisha.
Në fund, ai ka ironizuar edhe me ligjin e sponsorizuar nga ata që, sipas tij, “shesin ide nacional-demokratike kosovare”.
“Ky do të duhej të ishte titulli i ri i ligjit të sponsorizuar nga ata që shesin ide nacional-demokratike kosovare”, ka përfunduar Berisha.