Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Hisen Berisha: Përfshirja e Kosovës në NDAA konfirmon rolin e saj strategjik në arkitekturën e sigurisë së SHBA-së

Hisen Berisha: Përfshirja e Kosovës në NDAA konfirmon rolin e saj strategjik në arkitekturën e sigurisë së SHBA-së

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Hisen Berisha, ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me miratimin dhe nënshkrimin nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA), me një buxhet mbi 901 miliardë dollarë.

Berisha thekson se NDAA nuk është thjesht një ligj buxhetor, por një dokument strategjik me peshë të madhe gjeopolitike, që përcakton prioritetet, aleancat dhe interesat e sigurisë së Shteteve të Bashkuara. Sipas tij, përfshirja eksplicite e Kosovës në këtë ligj është një sinjal i qartë politik dhe i sigurisë, që e vendos Kosovën në hartën e interesave strategjike amerikane.

Ai vlerëson se dispozitat e NDAA-së riafirmojnë mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, duke kundërshtuar qartë ndarjet territoriale, ndryshimin e kufijve dhe çdo zgjidhje që cenon rendin kushtetues të vendit. Kjo, sipas Berishës, është veçanërisht e rëndësishme në një kohë kur në rajon rikthehen ide për “korrigjime kufijsh” apo “zgjidhje kreative”.

Berisha nënvizon se ligji e pozicionon dialogun Kosovë–Serbi brenda një kornize të qartë amerikane, të bazuar në njohje reciproke, duke dërguar mesazh të drejtpërdrejtë si për Beogradin, ashtu edhe për faktorë ndërkombëtarë që kanë toleruar paqartësi strategjike në proces.

Në kontekstin e tensioneve në veri të Kosovës, ai e cilëson NDAA-në si garanci politike dhe strategjike për sigurinë e Kosovës, paralajmërim për aktorët destabilizues dhe dëshmi se SHBA-të e shohin Kosovën si faktor stabiliteti në rajon.

Megjithatë, Berisha thekson se kjo mbështetje nuk është “çek i bardhë”, por vjen me përgjegjësi shtesë për institucionet e Kosovës, duke kërkuar forcim të shtetit ligjor, koordinim të ngushtë me SHBA-në dhe NATO-n, si dhe shmangie të veprimeve të njëanshme që dëmtojnë aleancën strategjike.

Në fund, ai përfundon se Kosova duhet ta lexojë NDAA-në si udhërrëfyes strategjik, duke theksuar se përfshirja e saj në këtë ligj është konfirmim i fuqishëm se Kosova mbetet projekt strategjik i SHBA-së në Ballkan dhe pjesë e pandashme e arkitekturës euro-atlantike të sigurisë.