Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha në një prononcim për Televizionin Arbëria në lidhje me rëndësinë e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka thënë se këto marrdhënie historikisht kanë qenë të rëndësishme për stabilitetin e vendit.
Berisha tha se mbështetja e Amerikës, veçanërisht gjatë dhe pas konflikteve të viteve të 90-ta ka luajtur rol kyq për integrimin ndërkombëtar të Kosovës.
”Mbështetja e SHBA për Kosovës, veçanërisht gjatë dhe pas konfliktit të viteve 1990, ka luajtur një rol kyç dhe ka vazhduar të jetë mbështetja kryesor për pavarësinë dhe integrimin ndërkombëtar të Kosovës”, ka thënë ai për Televizionin Arbëria.
Si dëshmi e miqësisë së përhershme sipas deputetit Berisha janë marrëdhëniet e qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kjo nga bashkëpunimi i realizuar në fusha të ndryshme përgjatë viteve.
“Këto dy vende kanë pasur bashkëpunim imediat në shumë fusha si, mbështetja ushtarake dhe politike, për ta fituar lirinë, pavarësinë dhe shtetformimin duke ndërtuar institucione demokratike për të promovuar stabilitet në rajon; investimet për zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturor në Kosovë, forcimin e sektorit të sigurisë dhe kapaciteteve ushtarake në fushën e mbrojtjes, zhvillimin kulturor, pozicionimin e vendit dhe popullit tonë qëndrueshëm në gjeostrategjinë amerikane për rajonin, për ta përgatitur Kosovën për integrimin e saj në organizatat ndërkombëtare”, ka shtuar Berisha tutje për TV Arbëria.
Kujtojmë se 4 Korriku shënon 248-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.