Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Hisen Berisha ngre alarmin për “negociata paralele” me Serbinë: Rrezikohet sovraniteti i Kosovës

Hisen Berisha ngre alarmin për “negociata paralele” me Serbinë: Rrezikohet sovraniteti i Kosovës

Ish-komandanti i UÇK-së dhe analisti politik Hisen Berisha ka ngritur shqetësime serioze për atë që e quan “krizë të autoritetit kushtetues” dhe rrezikim të sovranitetit të Kosovës, duke paralajmëruar për ekzistencën e negociatave paralele me Serbinë, jashtë institucioneve shtetërore.

Në një reagim publik, Berisha thekson se në rrethanat aktuale politike, një pjesë e opinionit publik e sheh Ramush Haradinajn si figurën e vetme politike me kredenciale të luftës dhe të shtetndërtimit, nga i cili pritet një qëndrim i qartë dhe i pakompromis në mbrojtje të integritetit territorial dhe pavarësisë së Kosovës.

Sipas Berishës, çdo tentativë për relativizimin e këtyre themeleve duhet të përballet me rezistencë politike dhe institucionale, ashtu siç ndodhi gjatë përballjes me regjimin e Slobodan Millosheviçit në vitet 1998–1999.

Ai ngre një sërë pyetjesh që, sipas tij, janë thelbësisht politike, juridike dhe kushtetuese: kush janë individët që kanë zhvilluar apo po zhvillojnë negociata paralele me Serbinë, kush i ka mandatuar ata dhe mbi çfarë autoriteti veprojnë?

Në këtë kontekst, Berisha përmend emra konkretë nga spektri politik kosovar, duke kërkuar sqarime publike nëse veprimet e tyre janë bërë me dijeni dhe miratim partiak:

Ardian Gjini dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës,

Bernard Nikaj dhe Partia Demokratike e Kosovës,

Lutfi Haziri dhe Lidhja Demokratike e Kosovës,

Besnik Bislimi, Fitore Pacolli dhe Mimoza Kusari, si dhe roli i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Alternativës Gjakovare.

Berisha thekson se këto pyetje nuk janë retorike, por prekin një “dilemë historike”: a po ndodh rikthimi i ndikimit serb në Kosovë përmes mekanizmave të brendshëm politikë?

Ai ngre gjithashtu çështjen e figurave kyçe të luftës dhe shtetndërtimit që ndodhen në paraburgim në Hagë, me theks të veçantë te ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli. Sipas tij, Veseli kishte paralajmëruar rrezikun e instalimit të një strukture politike që krijon kushte për rikthimin e ndikimit serb në Kosovë, duke lënë të hapur pyetjen nëse ky paralajmërim lidhet me izolimin e tij.

Në reagimin e tij, Berisha përmend edhe takime të fshehta në Solothurn të Zvicrës, të cilat, sipas tij, dëshmojnë ekzistencën e një kanali paralel bashkëpunimi me Serbinë, jashtë çdo mandati shtetëror dhe në kundërshtim me rendin kushtetues të Kosovës.

Ai nënvizon se dialogu me Serbinë është kompetencë ekskluzive e Qeverisë së Kosovës, e kufizuar nga Kushtetuta dhe nga një platformë shtetërore e miratuar nga Kuvendi. Çdo veprim jashtë këtij kuadri, sipas tij, përbën cenim të interesit kombëtar.

“Po të ishin këto procese të mbështetura nga SHBA apo Departamenti Amerikan i Shtetit, ato do të zhvilloheshin në mënyrë transparente dhe institucionale,” thekson Berisha, duke shtuar se mungesa e transparencës ngre dyshime serioze për veprimtari që minojnë shtetësinë e Kosovës.

Në përfundim, Berisha paralajmëron se këto struktura politike dhe veprime jashtë institucioneve synojnë rikthimin e formulave të vjetra serbe “më shumë se autonomi, më pak se pavarësi”, duke vënë në pikëpyetje themelet e shtetit të Kosovës.