Ish-deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti, i cili një ditë më parë tha se në rastin e aktakuzës ndaj ministres Rozeta Hajdari është Prokuroria Speciale ajo që ka bërë shkelje, ndërsa ai i beson plotësisht ministres së tij. Në përgjigjen për TV Arbëria, Berisha ka ngritur dilema të mëdha rreth standardeve të kryeministrit dhe qasjes së tij ndaj institucioneve të drejtësisë.
Ai e nisi reagimin duke thënë se “Deklarata e fundit e kryeministrit Kurti, i cili mohon punën e Prokurorisë Speciale vetëm sa herë hetimet prekin ministrat e tij, është shembulli më i pastër i standardit të dyfishtë dhe i kapjes së shtetit”.
Berisha shtoi se Kurti mban qëndrime krejtësisht të ndryshme ndaj Prokurorisë varësisht se kush është subjekt i hetimeve.
“Kur Prokuroria arreston serbë të Banjskës, ai e quan profesionale. Kur heton koncesione energjetike apo rastin Ibër-Lepenc, ai e cilëson bashkëpunim të shkëlqyer me partnerët amerikanë”.
Por sipas tij, ky standard zhduket kur hetimi prek njerëzit e kabinetit qeveritar.
“Por sapo Prokuroria prek ministren Hajdari, pra kur hetimi arrin te korrupsioni brenda qeverisë së tij, papritur prokurorët konsiderihet se paskan ‘gabuar’. Kjo është hipokrizia e institucionalizuar”.
Ai theksoi se kjo sjellje vjen nga struktura e brendshme e qeverisë.
“Dhe arsyeja është e qartë, Qeveria Kurti ka futur në institucionet e shtetit një kastë të tërë udhëheqësish e zyrtarësh që janë subjekt i drejtësisë për vepra të rënda penale, deri të akte të kryera me mjete terroriste, kundër institucioneve dhe Policisë së Kosovës”.
Berisha tha se rasti i Rozeta Hajdarit është vetëm një fragment i një problemi shumë më të madh.
“Rasti i Rozeta Hajdarit është vetëm maja e ajsbergut të krimit e kurrupsionit qeveritar. Afera e rezervave shtetërore, është një skemë korrupsioni dhe e krimit të organizuar. Ministrja Hajdari është e lidhur drejtpërdrejt me aferën kriminale të rezervave të shtetit”.
Ai përmendi edhe mungesën e mallrave të kontraktuara.
“Fakti është i thjeshtë ngase dhjetëra kategori artikujsh të kontraktuara në vlera shumëmilionëshe, kurrë nuk kanë mbërritur në depot shtetërore. Megjithatë, pagesat janë bërë 100% avans, pa garanci bankare, pa verifikim tregu, pa asnjë procedurë ligjore”.
Në qendër të skemës, sipas Berishës, është një person shumë i përfolur.
“Në qendër të kësaj skeme qëndron një person i përfolur për të kaluar kriminale, e ai është Ridvan Muharremi, i lidhur me trafikun, me strukturat e regjimit të Millosheviqit dhe madje me rrjetet e Arkanit. Ky fakt i vetëm do të mjaftonte që një ministër të largohej menjëherë, në çdo demokraci normale”.
Ai madje pretendon se ekzistojnë dëshmi edhe më të rënda.
“Rreth kësaj afere ekzistojnë dëshmitë tronditëse me video dhe audio. Nga kjo aferë lind një kapitull edhe më i errët sepse me paratë e vjedhura nga rezervat e shtetit, janë kërkuar persona për të dëshmuar kundër udhëheqësve të UÇK-së në Hagë”.
Berisha theksoi edhe motivin etnik të manipulimit.
“Synimi ishte i dyfishtë, të gjendeshin dëshmitarë katolikë, sepse ‘duken më të besueshëm’; dhe të përforcohej narrativa serbe se ‘UÇK ka përndjekur katolikët’…”.
Ai shtoi: “Ironikisht, e gjithë kjo skemë manipulative lidhet me ministren Hajdari, e cila edhe vetë është me prejardhje katolike, për t’i dhënë manipulimit një peshë të rreme etnike e fetare”.
Për Berishën, çështja shkon edhe më tej:
“Elementi tjetër i penalizueshëm në suaza të kësaj afere korruptive, është tentimi për të gjetur vrasës me pagesë. Po në të njëjtat dëshmi me video dhe audio dokumentohej diçka edhe më e rëndë, përdorimi i parave të rezervave shtetërore për të kërkuar vrasës me pagesë, me qëllim eliminimin e liderëve të shtetit dhe ish-UÇK. Ky është kriminalitet i pastër i niveleve më të larta qeveritare”.
Berisha vazhdoi duke përmendur edhe sektorë të tjerë ku sipas tij po ndodh korrupsion.
“Përveç kësaj afere të krimit të organizuar me rezervat, është ënergjetika, fusha tjetër më e errët e korrupsionit… Qeveria Kurti ka futur në treg figura të krimit të organizuar nga Serbia, si Vuk Hamoviç… Energjia blehet me çmime marramendëse, duke e ngarkuar faturën mbi qytetarët e Kosovës”.
Ai foli edhe për abuzime infrastrukturore.
“Abuzimet me buxhetin dhe punimet infrastrukturore është një fushë tjetër e ndjeshme ku po abuzohet me buxhetin dhe punë jashtë standardeve… tregojnë të njëjtën skemë se, paratë publike janë shndërruar në instrument për kapjen e shtetit”.
Sipas tij, të gjitha këto shpjegojnë sjelljen e Kurtit ndaj Prokurorisë.
“Tani besoj se këto dëshmi e tjera çështje ligjore bëjnë të qartë pse Kurti sulmon prokurorinë?! Sepse çdo hetim që afron te ministrat dhe rrethi i tij i ngushtë ekspozon një degë të re të korrupsionit, kapjes dhe krimit të organizuar”.
Ai shtoi: “Prandaj, për Banjskën dhe Ibër–Lepenc, Prokuroria është e mirë; por për Rozeta Hajdarin, Prokuroria ‘gaboi’. Ky është standard i dyfishtë, i motivuar vetëm nga vetëmbrojtja politike”.
Berisha iu referua edhe raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit.
“Nëse bash duam ta kuptojmë se kush vërtetë përfaqëson strukturën qeverisëse në vendin tonë, dihet t’i referohemi edhe asaj çfarë thotë raporti i DASH… Raporti i fundit shkruan për probleme serioze me pavarësinë e gjyqësorit; kufizime serioze ndaj lirisë së shprehjes dhe mediave, korrupsion serioz brenda qeverisë. Aty është diagnoza e shtetit nën Albin Kurtin”.
Ai tha se rasti Hajdari përmban edhe shkelje të rënda ligjore.
“Rasti Hajdari dëshmon shkelje të rënda të Ligjit të prokurimit: – i cili është anashkaluar… – Janë bërë pagesa 100% avans, pa garanci bankare… – Ministria nuk ka bërë hetim tregu… – Thesari dhe Ministria e Financave kanë lejuar pagesa të kundërligjshme”.
Dhe shtoi se për Prokurorinë nuk ekzistojnë “sekrete” që e pengojnë.
“Thelbi juridik i çështjes është fakti se, për Prokurorinë e Shtetit nuk ekziston asgjë ‘sekret’ apo ‘konfidencial’ që të pengojë hetimet. Nëse do të lejohej një precedent i tillë, atëherë çdo krim mund të fshihej thjesht duke u klasifikuar ‘konfidencial’.”
Në përfundim, Berisha tha:
“Në këtë kontekst, sulmet e Kurtit ndaj Prokurorisë nuk janë ideologjike, janë thjesht përpjekje për të mbrojtur një rreth të zhytur në korrupsion, abuzim dhe skema të rënda kriminale”. /TVArbëria