Hisen Berisha nga Partia Demokratike e Kosovës, ka deklaruar se Kosova mund të hyjë në vitin 2026 pa një buxhet të miratuar, si pasojë e vonesave në konstituimin e institucioneve dhe formimin e qeverisë. Në një prononcim për TV Arbëria, Berisha tha se situata aktuale është serioze dhe kërkon veprim të shpejtë brenda kornizës kushtetuese.
“Sipas Kushtetutës, qeveria dhe Kuvendi kanë role të ndara në këtë proces, ngase është Qeveria që përgatit dhe paraqet projektligjin e buxhetit, ndërsa Kuvendi e miraton atë,” deklaroi Berisha.
Ai sqaroi se Ligji për Menaxhimin e Financave Publike parashikon mekanizma të përkohshëm për funksionimin minimal të shtetit – si shpenzimet mujore në masën 1/12 e buxhetit të vitit paraprak – por theksoi se kjo nuk mund të zëvendësojë një buxhet të plotë.
“Ky mekanizëm nuk zëvendëson një buxhet tërësor dhe nuk mund të përdoret si zgjidhje afatgjatë për politikat fiskale dhe investimet e nevojshme. Mungesa e buxhetit sjell pasoja reale për paga, shërbime publike dhe investime kapitale,” tha ai.
Sa i përket rrugëzgjidhjes, Berisha u shpreh se e vetmja mënyrë për të shmangur krizën është formimi i një qeverie funksionale që gëzon shumicën parlamentare dhe ka mandat për të paraqitur projektbuxhetin.
“Në mungesë të një shumice tradicionale, alternativat e ligjshme përfshijnë negociata për një qeveri koalicioni, krijimin e një qeverie të përkohshme të ekspertëve, apo edhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, kur procedurat e tjera dështojnë,” shtoi Berisha.
Deputeti i PDK-së theksoi se çdo veprim duhet të jetë brenda kornizës ligjore dhe kushtetuese, ndërsa paralajmëroi kundër manovrave politike jashtë ligjit.
“Nuk duhet pranuar të bëhen manovra jokushtetuese ose instrumentalizim i krizës buxhetore për qëllime personale apo partiake,” tha ai, duke shtuar se çdo përpjekje për të anashkaluar rolin e qeverisë në procesin e buxhetit do të ishte e paqëndrueshme juridikisht dhe politikisht.
Në fund, Berisha bëri thirrje për përgjegjësi dhe bashkëpunim politik.
“PDK duket të jetë konstruktive, dhe ftojmë partitë të tregojnë përgjegjësi, të ulen dhe të negociojnë një marrëveshje që garanton miratimin e buxhetit për vitin 2026, për t’mos lejuar që qytetarët të paguajnë çmimin e luftës për pushtet”, përfundoi Berisha. /TV Arbëria