Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Hiperrealiteti i Kurtit

Hiperrealiteti i Kurtit

Shkruan: Afrim Haliti – Në këtë sezonë festive të manovrimeve politike, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, paska veshur kostumin e babadimrit, jo si një dhuratëdhënës i vërtetë, por si një simbol i bujarisë krejt simbolike. Ai paska fillu të shpërndajë premtime dhe gjeste, duke u mbështjellë me mantelin e kuq të babadimrit. Megjithatë, nëse e zbërthejmë këtë lojë politike të Kurtit, do të shohim se realisht jemi në botën që Jean Baudrillard e përshkruan si hiperrealitet, pra një botë ​​ku simbolet dhe simulimet mjegullojnë kufijtë midis qëllimit të vërtetë dhe iluzionit të llogaritur mirë.

Kurti, me gjestet e tij simbolike ndaj pensionistëve dhe fëmijëve mundohet të paraqes një rrëfim alternativ që kërkon të mbulojë të këqijat e qeverisjes së tij. Në botën e Baudrillardit, kjo është tentim për krijimin e një realiteti të simuluar, ku imazhi i bujarisë bëhet maskë për mangësitë në progresin real e të prekshëm.

Ashtu siç babadimri përfaqëson një mit kolektiv larg nga realiteti empirik, dashamirësia simbolike e Kurtit duket e larg nga përmirësimet thelbësore në cilësinë e jetës së qytetarëve të Kosovës. Përmes fuqisë politike Kurti mundohet që të zëvendëson substancën me spektaklin, duke na lënë me të drejtë të vëmë në dyshim vërtetësinë dhe sinqeritetin e vullnetit të mirë të mbështjellur me maskën e bujarisë festive.

Baudrillard flet rreth problemit kur një shoqëri është e zhytur në hiperrealitet, aty ku simbolet kanë përparësi ndaj substancës aktuale dhe reale. Në këtë shfaqje teatrale politike, portretizimi i Kurtit si babadimër shndërrohet në metaforë të zëvendësimit të progresit të mirëfilltë me gjeste simbolike. Këto dhuratat simbolike që Kurti po i shpërndanë në formë vitrash mund të shpërqendrojnë vetëm momentalisht, por ato assesi nuk mund të zëvendësojnë përmirësimet e që janë të donosdoshme për të adresuar sfidat e vërteta me të cilat përballen qytetarët.

Dhe derisa ne zhytemi në baltën e këtij peisazhi politik hiperreal, është thelbësore që të jemi në gjendje të demaskojmë iluzionet, të dyshojmë në vërtetësinë e qëllimeve dhe të kërkojmë më shumë se vetëm gjeste të thjeshta simbolike. Ashtu sikurse fëmiu që dikur e kupton se babadimri është vetëm trillim, qytetarët kosovar duhet t’i analizojnë me kujdes premtimet e Kurtit dhe të vlerësojnë nëse vërtetë po kanë përfitime të prekshme apo thjesht vetëm përralla me mbështjellje shumëngjyrëshe e që maskojnë mungesën e progresit të vërtetë.

Në frymën e një syri kritik, le të zbërthejmë dhuratat politike të ofruara nga Albin Kurti, dhe të zbulojmë substancën reale përfundi mbështjellëses së bukur vezulluese. Sepse në hiperrealitetin e simbolizmit politik, sfida nuk qëndron në të qenit të hipnotizuar nga iluzioni, por në të dalluarit e së vërtetës që fshihet pas bujarisë së simuluar të liderëve që veshin kostumin e babadimrit vetëm për përfitime politike të çastit.

/TV Arbëria

Themes by WordPress