Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se ska paralajmërime se do të vendosen sanksione ndaj Industrisë së Naftës në Serbi (NIS).
Ai ka thënë për RTS se ka shqetësimë që NIS në duart e Rusisë e ndihmon disi të financohet lufta në Ukrainë dhe se këto janë çështje legjitime për t’u trajtuar me kujdes.
“Mund të them që prej se rusët e kanë blerë NIS’in ka pasur shumë shqetësime, sepse është e vetmja rafineri në Serbi dhe meqë shumica është në pronësi të rusëve, kjo i ka shqetësuar për vite me radhë shumë njerëz. Ky shqetësim është edhe më i madh për faktin se Rusia vazhdon ta zhvillojë luftën barbare kundër Ukrainës”, ka thënë ai.
“Do të shohim se cili do të jetë rezultati. Unë dua t’ju siguroj se vendimi përfundimtar nuk do të ndikojë në asnjë mënyrë ekonominë serbe,” shtoi Hill.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 13 dhjetor deklaroi se SHBA po planifikon të vendosë sanksione ndaj NIS’ut dhe se këtyre sanksioneve do t’i bashkohet edhe Mbretëria e Bashkuar. Ai tha se nuk kishte parë ndonjë dokument por se kishte “një lloj konfirmimi zyrtar” se sanksionet do të hyjnë në fuqi më 1 janar.
Departamenti i Shtetit deklaroi në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë më 16 dhjetor se Shtetet e Bashkuara nuk i shpallin publikisht veprimet në lidhje me sanksionet.