Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > “Hija” e Putin mbi Europë, inteligjenca estoneze paralajmëron: Po kërkon një Jaltë tjetër

“Hija” e Putin mbi Europë, inteligjenca estoneze paralajmëron: Po kërkon një Jaltë tjetër

Vladimir Putin nuk e ka braktisur qëllimin e tij për të ripërcaktuar ekuilibrin e fuqisë në Evropë. Paralajmërimi ka ardhur nga shërbimi i inteligjencës së jashtme të Estonisë në një raport vjetor.

Në raport theksohet se edhe nëse lufta në Ukrainë ndalon, qëllimet e Putin mbeten po të njëjta.

Një armëpushim i përkohshëm në Ukrainë rrezikon t’i japë Putinit një shans për të “marrë frymën” përpara se të rifillojë luftën e tij kundër Ukrainës në ndjekje të këtij qëllimi. Kërkesa e tij para pushtimit që Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut të tërhiqet nga Evropa Lindore ende qëndron.

Kombi baltik në krahun lindor të NATO-s është një mbështetës i vendosur i Ukrainës. Estonia, e cila kufizohet me Rusinë, ka fajësuar shërbimet e inteligjencës së Moskës për një sërë aktesh vandalizmi në vitet e fundit dhe ka rritur shpenzimet e mbrojtjes.

“Putini me gjasë e sheh zgjidhjen e këtij konflikti si të arritshme vetëm përmes një marrëveshjeje të stilit të Jaltës – domethënë, ndarjes së Evropës në sfera të ndikimit. Për të dekurajuar mbështetjen ushtarake për Ukrainën, Rusia do të ngjallë “frikën e një dimri bërthamor” në shoqëritë perëndimore këtë vit. Moska “ka shumë pak gjasa të përdorë armë bërthamore” kundër Ukrainës, por “duke vëzhguar sesi faktori i frikës e ka frenuar Perëndimin deri më tani”, do ta shfrytëzojë atë në maksimum”.

Ndërkohë, Kremlini ka refuzuar zyrtarisht idenë e një shkëmbimi të territoreve të pushtuara midis Kievit dhe Moskës si pjesë e negociatave për paqen, një mundësi e ngritur ditët e fundit nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Kjo është e pamundur. Rusia kurrë nuk ka diskutuar dhe nuk do të diskutojë kurrë çështjen e shkëmbimit të territorit të saj”, tha zëdhënësi presidencial rus Dmytry Peskov.

Sakaq Kievi është tronditur nga sulmet raketore ruse të cilët shkaktuan shumë dëme materiale dhe lanë të civil të vdekur. Kryetari i bashkisë së Kievit Vitali Klitschko tha në Telegram se të paktën një person u vra dhe tre u plagosën, duke përfshirë një fëmijë 9-vjeçar.