Kompania Rajonale e Ujësjellit “Hidrodrini”, ka publikuar të arriturat, sfidat dhe sukseset e muajve të fundit.
Bazuar në raportin e kësaj kompanie, rezulton se në tre muajt e fundit, siç thuhet, “pas një angazhimi ekipor të Adminsitratës dhe terrenit, KRU ‘Hidrodrini’ ka arritur që në muajin dhjetor 2023 të shënoj ngritje të inkasimit në 35%, nëjanar 2024 ngritje me 65% dhe në shkurt 2024 ngritje inkasimi në 82%, krahasuar me vitet paraprake”.
Tutje sqarohet se në këto pak muaj, me ardhjen e menaxhmentit të ri dhe mbështetjen qeveritare, janë shtrirë rreth 100 kilometra rrjet i ujësjellësit në tërë zonën e mbulueshmërisë.
Ndërsa që me marrëveshjet për rrjetin e sistemit të kanalizimit, të Kryeshefit Ekzekutiv ing. Dri Cena, më kryetarët e komunave të zonës së mbulueshmërisë, Pejë, Klinë, Istog, Deçan e Junik, konsumatorët përfitojnë edhe 403 kilometra rrjet të kanalizimit, duke e çuar totalin në 584 kilometra, e që me automatizën përfitojnë 20 mijë qytetarë.
Kompania potencon vendosmërinë që të ofrojë shërbime kualitative dhe efikase për konsumatorët, ndërsa thotë se mbetet e vendosur deri në fund, në luftimin me të gjitha mekanizmat ligjor, të dukurive të keqpërdorimit të ujit dhe mospagesës, për çfarë në periudhën e fundit, janë angazhuar numër në rritje i inspektorëve të terrenit duke treguar rezultate në këtë drejtim, raporton njeshi.com.