Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka thënë se në pjesën veriore të Gazës po vdesin nga uria.
Vizitat e kësaj organizate gjatë fundjavës në spitalet “Al-Awda” dhe “Kamal Adwan” ishin të parat që nga pjesa e parë e tetorit të vitit të kaluar, raporton televizioni BBC.
Përmes një shkrimi të publikuar në rrjete sociale, Ghebreyesus tregoi për “gjetje të zymta”. Mungesa e ushqimit rezultoi në vdekjen e dhjetë fëmijëve dhe në “nivele të rënda të kequshqyerjes”, ndërsa ndërtesa të spitaleve janë shkatërruar, sipas zyrtarit të lartë.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza, që menaxhohet nga Hamasi, raportoi të dielën se të paktën 15 fëmijë kishin vdekur nga kequshqyerja dhe dehidrimi në spitalin “Kamal Adwan”.
Një fëmijë tjetër vdiq të dielën në një spital në qytetin jugor të Gazës, Rafah, raportoi të hënën agjencia zyrtare palestineze e lajmeve, “Wafa”.
Drejtori i OBSh-së raportoi për “nivele të rënda të kequshqyerjes, fëmijë duke vdekur nga uria, mungesa serioze të karburantit, ushqimit dhe furnizimeve mjekësore, ndërtesa spitalesh të shkatërruara” në pjesën veriore të Gazës, ku vlerësohet se rreth 300 mijë njerëz po jetojnë me pak ushqim ose ujë të pastër.
“Mungesa e ushqimit rezultoi në vdekjen e dhjetë fëmijëve” – shkroi Tedros në rrjetin social X. Vizitat e OBSh-së në spitale ishin të parat pas disa muajve, “pavarësisht nga përpjekjet tona për të fituar më shumë qasje të rregullt në veri të Gazës” – shkroi ai më tutje.
Një zyrtar i lartë i ndihmave i OKB-së paralajmëroi se të paktën 576 mijë njerëz në mbarë Rripin e Gazës – çereku i popullsisë – ballafaqohen me nivele katastrofale të pasigurisë ushqimore dhe një në gjashtë fëmijë të moshës nën 2-vjeçare në pjesën veriore të enklavës janë duke vuajtur nga kequshqyerja e rëndë.
Drejtoresha rajonale e agjencisë së OKB-së për fëmijë, UNICEF, tha se “vdekjet e fëmijëve, për të cilat kishim frikë, janë këtu, përderisa kequshqyerja po e rrënon Rripin e Gazës”.
“Këto vdekje tragjike dhe të tmerrshme janë të bëra nga njeriu, të parashikueshme dhe tërësisht të parandalueshme” – tha të dielën Adele Khodr.
Të shtunën, Shtetet e Bashkuara për herë të parë që nga fillimi i luftës hodhën ndihma humanitare nga ajri në Gaza, përfshirë mbi 38 mijë vakte ushqimore.
Megjithatë, agjencitë e ndihmave kanë thënë se ky veprim, që më parë është kryer edhe nga Britania, Franca, Egjipti dhe Jordania, është mënyrë e pamjaftueshme për dërgimin e furnizimeve te njerëzit.
Grim findings during @WHO visits to Al-Awda and Kamal Adwan hospitals in northern #Gaza: severe levels of malnutrition, children dying of starvation, serious shortages of fuel, food and medical supplies, hospital buildings destroyed.
The visits over the weekend were the first… pic.twitter.com/CxaCuau7iR
— Tedros Adhanom Ghebreyesus (@DrTedros) March 4, 2024