Sot në Shqipëri po mbizotëron heshtja zgjedhore, një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të pjesshme lokale që do të zhvillohen të dielën në pesë bashki të vendit: Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë.
Sipas A2 CNN, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpërndarë tashmë materialet zgjedhore në të gjitha bashkitë ku do të votohet. Ndërkohë, policia ka marrë një plan të detajuar masash për mbarëvajtjen e procesit, duke vendosur në ruajtje 9 objekte zgjedhore ku ndodhen komisionet e KZAZ-ve, si dhe 473 qendra votimi në gjithë territorin e përfshirë.
Kjo fushatë është konsideruar si një nga më të qetat e viteve të fundit, pasi kandidatët kanë zhvilluar aktivitetet e tyre pa protagonizëm politik. Për herë të rrallë, liderët e partive kryesore, Edi Rama dhe Sali Berisha, nuk janë shfaqur në asnjë miting apo takim elektoral.
Kujtojmë se kryebashkiakët që do të zgjidhen në këto zgjedhje do të kenë një mandat të shkurtuar prej një viti e gjysmë, deri në mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale në pranverën e vitit 2027.