Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Heshtje vdekjeje nga ish-ministrat/et opozitarë/e

Heshtje vdekjeje nga ish-ministrat/et opozitarë/e

Shkruan: Agron Hoti- Partitë politike opozitare sikurse edhe ajo pozitare i kanë keqpërdorur në vazhdimësi votat e mbështetësve të tyre partiakë. Edhe pse mbështetësit e tyre të gjorë shkonin zhag për të mbledhur sa më shumë vota, kur vinte puna te postet ministrore (dhe jo vetëm), ato i gëzonin ata/ato “pilotë” që më së paku ose fare kishin mbledhur vota ose as që ishin marrë me parti. Zatën kjo edhe ka qenë dhe vazhdon të jetë ndër pakënaqësitë më të mëdha, për shkak të të cilave partitë pa përjashtim (pozitë e opozitë) kanë humbur struktura dhe elektorat.

Dhe duke qenë se postet ministrore (dhe jo vetëm) merreshin pa asnjë meritë dhe sigurisht pa asnjë bazë elektorale, sot kemi dhjetra ish-ministra/ministre opozitare që s’e çelin gojën për zhvillime politike e aq më pak për sektorët që këta/këto ish-ministra/ministre thirreshin që i mbulonin me kompetencë e meritë sa ishin në pushtet.

Mjerisht sot s’shohim pothuajse asnjë ish-ministër/ministre nëpër debate publike apo nëpër takime me qytetarë e mos të flasim për ndonjë shkrim apo analizë për sektorët që mbulonin. Nuk është e rastësishme që sot shumë të rinj e të reja thonë “pse të vrapojmë pas votave, kur kryetari i partisë katapulton “pilotë” nëpër poste ministrore që as ia dinë për partinë”.

Prandaj sot s’ka kurrfarë opozitarizmi, sepse shumica e ish-ministrave/eve (dhe jo vetëm) janë rehatuar nëpër poste ‘më periferike’ ose kanë bërë aq shumë para sa për të ngrënë edhe kafshët dhe për të mos i zbritur bishtit të aeroplanit duke caktuar lokacione për vizitë vetëm me një hedhje kompasi mbi hartë.

Këtyre ish-ministrave/eve që morën postet pa asnjë meritë dhe asnjë bazë elektorale as që iu bën për struktura e votues partiakë që janë dërmuar duke mbledhur vota. Ata/ato mund të na thonë që kishim vota, por s’e di pse kishte dhe ka një përcepsion se shumica votat i blenë dhe bënë në Qendrën e Numërimit të Votave në Fushë Kosovë.

Nëpër vende me demokraci të zhvilluara ish-ministrat/et dhe mbajtësit/et i/e posteve të larta edhe pas rënies nga pushteti i sheh duke kontribuar në formësimin e debatin publik për sektorët që ata mbulonin sa ishin në pushtet, kurse te ne çile guri gojën, ish-ministrat/et mundesh me i taku vetëm në ndonjë resor të shtrenjtë veror apo dimëror duke bërë jetë përrallore.

Prandaj, pozita as që ia di për opozitën, prandaj edhe demokracia ka shënuar prapakthim.

/TV Arbëria

Themes by WordPress