Shkruan: Afrim Kasolli
Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër për zgjedhjet e 9 shkurtit, e njoftoi edhe zyrtarisht opinionin publik se ka hequr dorë nga pozita e deputetit të Kuvendit të Kosovës, si dhe ka vendosur të rikthehet në atë të kryetarit të qytetit të Mitrovicës.
Këtë lëvizje, ai pohoi se është i detyruar ta ndërmarr më qëllim që t’i shmang zgjedhjet e parakohshme për kryetar të këtij qyteti, çfarë do të ndikonte negativisht realizimin e projekteve dhe buxhetin e shtetit. Po ashtu, i njëjti tregoi për tentativat mbi skenarin e formimit të Qeverisë së re të Kosovës nga partitë opozitare, në rast se dështon që një gjë të tillë ta bëjë partia fituese e zgjedhjeve.
Nuk la pa përmendur takimet që kanë pasur ndërmjet vete me përfaqësuesit partive tjera, ndonëse mungojnë rezultatet konkrete. Ndërkohë, tërthorazi e bëri të ditur se kushti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, se do të jetë pjesë e një Qeverie vetëm me postin e kryeministrit, vështirë se pritet të përfillet nga subjekti që ai e drejtoi në këtë fushatë elektorale.
Por më qëllim që ky refuzim të mos dukej brutal, Bedri Hamza këtë mohim e bëri në mënyrë të kujdesur, duke deklaruar se zyrtarisht nuk e ka në tavolinë një kërkesë të tillë, edhe pse të njëjtën kanë pasur rastin ta dëgjojnë publikisht nga Lumir Abixhiku, kohën e fundit qytetarët e Kosovës. Kështu, sipas kandidatit të PDK-së për kryeministër në rast të dështimit të Albin Kurtit për ta fituar postin e të parit të Qeverisë, atij do t’i takojë e drejta për t’i prirë valles së krijimit të institucioneve të reja dhe jo dikujt tjetër. Dhe se mbi këtë bazë kushtetuese do të orientohet politikisht. Ndërkohë, që shanset që këto pari ta ndajnë pushtetin po bëhen gjithnjë me të zbehta. Këtë e dëshmojnë edhe tensionet gjithnjë e më të hapura ndërmjet kryetarit të LDK-së dhe atij për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, z Ramush Haredinaj.
Mirëpo, përtej këtyre relacioneve ndërpartiake, ajo që nuk u adresua para opinionit publik nga Bedri Hamza, ka të bëjë me faktin se a ka ambicie dhe pretendime për t’i prirë reformave në Partinë Demokratike të Kosovës. Asnjë fjalë për nevojën e organizmit sa më të shpejtë të zgjedhjeve të brendshme në këtë subjekt, që edhe ashtu drejtohet me struktura ilegale partiake, sepse ka kohë që atyre që janë në fuqi që iu ka skaduar mandati. A ishte roli i tij vetëm një ndihmesë momentale ndaj strukturave aktuale drejtuese të kësaj partie? Sepse ka qenë e ditur që nga fillimi se të njëjtit do pësonin kolaps politik në këto zgjedhje, po të mos ishte Bedri Hamza kandidat për kryeministër. Prandaj, edhe të njëjtit e ngritën flamurin e bardhë duke e kërkuar shpëtimin nën autoritetin e të paritme qëllim që t’i ruajnë pozicionet e brendshme. Pra ashtu siç kanë vepruar tradicionalisht. Ku kjo kastë klienteliste edhe pse nuk e ka fituar asnjë beteje politike, megjithatë ia ka dalur të përfitojë vazhdimisht personalisht.
Prandaj, nëse Bedri Hamza, abdikon nga këto detyra atëherë ai nga një shpresë për ringjallje afatgjate partiake, shndërrohet në instrument politik të konservimit të pushtetit të parëve. Duke mos pranuar ta çojë deri në fund këtë betejë, ai i shndërron edhe vetën në konditat jo serioz politik për kryeministër edhe nëse dështon Albin Kurti.
Në fund të fundit, një pyetje legjitime do të dominojë. Nëse partia e tij nuk janë në gjendje ta pranojë atë si drejtues qendror, por vetëm si lider lokal, atëherë pse për një gjë të tillë duhet të pajtohen partitë tjera politike? Mënyra se si do ta trajtojë këtë dilemë do ta përcaktojë edhe fatin e tij politik.