Shkruan: Afrim Kasolli
Ditën e diel shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, krahas atyre maqedonas e thanë fjalën e tyre në zgjedhjet lokale. Dhe ky veridikt i pjesës shqiptare nuk ishte shumë i favorshëm për partinë e Ali Ahemtit. Përjashto, komunat ku u fituan nën siglën e koalicionit, Aleanca Kombëtare për Integrim, vetë partia e Bashkimit Demokratik për Integrim, nuk arriti ta fitojë asnjë komunë të madhe të banuar më shqiptarë. Ata u fituan nga oponentët e tij nga VLEN-i
Këto zgjedhje ishin konsideruar si njëri nga testet kryesore për partitë politike në atë shtet. Në taborin maqedonas, sepse do të mund të kuptohej a do ta ruante partia fituese e zgjedhjeve nacionale VMRO-DPMNE të njëjtin nivel të përkrahjes qytetare. Dhe në këtë drejtim kjo e fundit thuajse e kaloi pa asnjë telashe këtë sfidë, ngase sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve partia në pushtetet do të ketë “kryetarë komunash në 30 nga gjithsej 80 komuna, dhe pret që në rundin e dytë të fitojë edhe në rreth 20 të tjera, përfshirë edhe qytetin e Shkupit, ku kandidati i saj, Orce Gjorgjievski, është në epërsi të madhe”. Kurse në taborin shqiptar për shkak të faktit se koalicioni VLEN ishte bërë pjesë e Qeverisë së drejtuar nga Hristijan Mickoski edhe pse zgjedhjet parlamentare kishte fituar më me pak vota se sa koalicioni i drejtuar atëbotë nga Ali Ahmeti.
Në rrethana normale mbase ky fakt nuk do të ishte shumë problematik, mirëpo duke marrë parasysh natyrën e zhvillimeve në Maqedoni të Veriut rezultati jo i mirë për Ali Ahmetin ka ngritur shumë pikëpyetje politike dhe historike.
E para VMRO-DPMNE, para si t’i fitonte zgjedhjet nacionale në masë të madhe kishte manipuluar me frikën e qytetarëve maqedonas se si identiteti i tyre kulturor dhe kombëtar ndodhet në rrezik, si nga Bullgaria ashtu edhe nga shqiptarët.
Për ta mbrojtur vetën nga kjo paranoje kolektive, me të marr pushtetin, partia fituese e zgjedhjeve në kampin maqedonas, kishte filluar ta kërkonte shpëtimin gjithnjë e më shumë nën tutelën e Beogradit. Prandaj, me të drejtë shumë analistë kanë ngritur alarmin se kurrë më shumë se gjatë këtij mandati qeveritar nuk kishte qene prezente Serbia në Maqedoni të Veriut. Këtë fakt e kishte potencuar edhe një rezolutë e Parlamentit Evropian e cila potenconte rrezikun që është duke e pozuar depërtimi i hegjemonik i konceptit të botës serbe në shoqërinë maqedonase. Ky kurs gjeopolitik edhe e dallon rrënjësisht VMRO-DPME nga origjina e saj fillestare historike pas shembjes se komunizmit dhe krijimit të pluralizmit politik në atë shtet në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar. Sepse kjo parti e drejtuar nga ish-lideri i saj Ljupco Georgievski, me të cilën dikur kishte qeverisur Arben Xhaferi e konsideronte herezi nacionale vetëm kthimin e kokës nga Beogradi. Por Hristina Mickoski ia ka dalur që pro-serbizimin dhe anti-evropinizmin e tij ta maskojë me frymën e anti-shqiptarizimit dhe anti- bullgarizmit.
Ndërkohë, të dhënat konkrete tregonin se si filloi një politikë e re e segregimit të gjuhës shqipe e deri të riaktivizimi i fletë arresteve ndaj ish-pjesëtarëve të UCK-së. Megjithatë edhe përkundër këtij prapakthimi sa i përket pozicionit të shqiptarëve në Maqedoni të Veriut, përsëri koalicioni VLEN që u bë hisedar i pushtetit në Qeverinë aktuale nuk u penalizua nga votat e shqiptarëve. Përkundrazi , nuk mund të mohohet suksesi politik i këtij grupacioni. A do të thotë se tashmë shiptarët kanë filluar të ndjehen të të kënaqur me degradimin statusit të tyre kombëtar, apo janë faktorë tjerë të panjohur që kanë ndikuar në këtë rezultat.
Me këtë rast është përmendur edhe interferimi i Albin Kurtit në favor të VLENI-it e deri te ndikimi i subversiv i Kremlinit. Ndonëse nuk mund të mohet influenca e këtyre faktorëve, megjithatë është pak e besueshme që ata të jenë përcaktuesit kryesorë. Sepse Albin Kurti kishte provuar një gjë të tillë ta bënte edhe në Shqipëri kundër Edi Ramës, por kishte pësuar humbje të palavdishme. Kurse sa i përket rolit të doktrinës putiniste të kaosit është e vërtetë që ajo ka qenë aktive, mirëpo në planin ndërkombëtar pesha e saj ka ardhur duke u reduktuar në shumë vende të botës. Lufta në Ukrainë e ka limituar tej mase ndikimin gjeopolitik të Moskës. Dështimi për ta mbrojtur regjimin e Bashar al Assadit në Siri është njëri nga shembujt me të njohur. E deri të tkurrja gjithnjë e më e madhe e peshës së saj në Lindje të Mesme.
Prandaj, çdo përjashtim i dinamikave lokale në pjesën shqiptare në Maqedoni të Veriut, krijon një pasqyrë jo të plotë lidhur me këtë bilanc elektoral. Qëndrimi gjatë në pushtet dhe gabimet në menaxhimin në radhë të parë të partisë si duket e hapën shtegun e rënies graduale dhe të pashmangshme edhe të Ali Ahemtit. Tashmë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut do të jenë të privuar nga pesha një autoriteti “suprem” politik siç ishte dikur figura e Arben Xhaferit, e deri më tani e Ali Ahmetit. Mbase një vakum i tillë e ka shtruar rrugën e lulëzimit të liderëve lokalë, sikur se Izet Mexhiti e Billal Kasemi. Është pak e pritshme që ata ta plotësojnë atë rol nacional. Suksesi i tyre individual komunal nuk është asgjë tjetër, pos simptoma e një krize më të madhe politike në shoqërinë shqiptare në Maqedoni të Veriut, ku një “botë e vjetër” por shembet, por e reja nuk është etabluar ende.