Gazetari Arlind Imeri tregoi një histori se si një ekip mjekësor riktheu jetën e një nëne të re.
Ai deklaroi se rasti kishte arritur në orën 01:10 të mëngjesit të 21 marsit, ku një nënë e re, vetëm 26 vjeç, ra pa ndjenja në shtëpinë e saj. Zemra e saj kishte pushuar së rrahuri, duke lënë pas dy binjakë vetëm 7-javësh dhe një familje që as nuk e dinte se çfarë po ndodhte.
“Ata nisën menjëherë reanimimin, administrimin e adrenalinës dhe oksigjenit, ndërsa përdorën defibrilatorin në përpjekje për të rikthyer ritmin e zemrës. Një moment ajo reagoi, por pastaj sërish zemra e saj pushoi. Ata nuk u ndalën. Sërish adrenalinë, sërish frymëzim artificial, sërish defibrilim. Pas disa minutash të luftës së pamëshirshme me vdekjen, ndodhi mrekullia – zemra e saj nisi të rrahë përsëri.
Gruaja u transportua me urgjencë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku pas trajtimit intensiv, një ditë më vonë ajo u zgjua, foli, reagoi dhe nisi të ushqehej vetë. Ajo ishte gjallë – një nënë që u kthye tek binjakët e saj falë profesionalizmit dhe përkushtimit të një ekipi mjekësor që nuk u dorëzua”, shkroi ai.