Qendrim Kryeziu ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke ngritur shqetësimin për përhapjen e gjuhës së urrejtjes dhe denigrimit në shoqërinë kosovare, veçanërisht në rrjetet sociale.
Sipas tij, kjo klimë ka arritur në një pikë shqetësuese, ku edhe figura të rëndësishme të luftës, si Ramush Haradinaj, po etiketohen me lehtësi si tradhtarë apo bashkëpunëtorë të Serbisë, madje edhe në momente familjare. Ai përmendi konkretisht rastin e reagimeve gjatë dasmës së nipit të Haradinajt, djalit të dëshmorit Shkëlzen Haradinaj.
Kryeziu theksoi se kjo gjuhë nuk është e rastësishme, por sipas tij është rezultat i një qasjeje të qëllimshme propagandistike, për të cilën ai akuzon kryeministrin Albin Kurti, duke pretenduar se synon të sulmojë dhe rrënojë vlerat kombëtare.
Në reagimin e tij, ai bëri krahasime me popuj të tjerë, duke theksuar se ata edhe kur nuk kanë figura të tilla historike, i ndërtojnë ato për të forcuar krenarinë kombëtare. Ndërkaq, sipas tij, në Kosovë po ndodh e kundërta, ku përmes ofendimeve digjitale tentohet zbehja e figurave të luftës dhe e identitetit kolektiv.