Lutfi Haziri nga LDK, pas takimit të mbajtur sot në ambasadën amerikane në Prishtinë për Asociacionin, ka deklaruar se ka konfirmuar mbështetjen për procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, me përfshirjen e plotë të SHBA-së.
Ai ka theksuar se orientimet e LDK-së për një marrëveshje përfundimtare, ligjërisht të obligueshmedhe me njohjen reciproke në thelb të saj, mbesin të pandryshueshme.
“Në lidhje me Asociacionin, LDK-ja vlerëson se kjo çështje është kompetencë dhe përgjegjësi kushtetuese vetëm e institucioneve të Republikës së Kosovës, në radhë të parë e Qeverisë.”, ka shkruar Haziri në Facebook.
Gjatë ditës së sotme, ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka pritur në takim përfaqësues politikë dhe të shoqërisë civile në Kosovë për të diskutuar për Asociacionin.
Pas diskutimit, Hovenier ka falënderuar të gjitha palët e takimit, derisa ka shtuar se do të vazhdojnë të avokojnë për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut. /TV Arbëria