Bekim Haxhiu ka deklaruar se me ardhjen e qeverisë së Bedri Hamzës do të realizohet një reformë e thellë pensionale, e cila synon korrigjimin e padrejtësive ndaj kategorive të dala nga lufta, përfshirë edhe kategorinë e dhunës së luftës.
Sipas Haxhiut, veteranët e luftës do të përfitojnë rritje të pensioneve deri në 50 për qind dhe do të kenë të drejtën të punojnë pa humbur përfitimet e tyre. Ai theksoi se kjo reformë synon të zgjidhë një çështje që prej vitesh ka qenë diskriminuese për shumë kategori që e kanë të garantuar pensionin nga shteti.
“Qëllimi ynë është të vendosim drejtësi sociale dhe të trajtojmë me dinjitet familjet e dëshmorëve, veteranët, invalidët e luftës, pjesëtarët e FSK-së, si dhe kategorinë e dhunës së luftës, e cila për një kohë të gjatë ka mbetur e anashkaluar nga institucionet”, u shpreh Haxhiu.
Ai shtoi se përfshirja e kategorisë së dhunës së luftës në reformat pensionale është një detyrim moral dhe institucional, duke garantuar mbështetje të qëndrueshme dhe trajtim të barabartë për të gjithë ata që kanë kontribuar dhe sakrifikuar për lirinë e vendit.