Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar sërish ndaj kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, i cili e ka akuzuar për tendencë për të ndërhyrë në punën e sistemit prokurorial.
Në reagimin e saj, Haxhiu ka thënë se Isufaj duhet të përgjigjet se pse ka dhënë pëlqimin për tërheqjen e urdhërarrestit ndaj Milan Radoiçiqit.
“Në vend të reagimeve kundrejt deklarimeve tona, Blerim Isufaj, le të përgjigjet vetëm në pyetjen se pse u tërhoq urdhëarresti për kryekriminelin Radoiçiq në vitin 2021? Po të mos hiqej fletarresti me 2021 ndoshta nuk do të kishte Banjskë 2023. Mos të tentojë të ikë nga thelbi i çështjes!”, ka shkruar ministrja në Facebook.
Ndryshe, Isufaj të premten ka pranuar se kishte dhënë pëlqimin për heqjen e urdhërarrestit ndaj Milan Radoiçiqit në vitin 2021.
/TV Arbëria