Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Haxhiu përsërit qëndrimin se tërhiqet nëse nuk zgjidhet në votim të fshehtë

Haxhiu përsërit qëndrimin se tërhiqet nëse nuk zgjidhet në votim të fshehtë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu – e propozuara për kryeparlamentare – përsëriti qëndrimin se do të tërhiqet nga kandidimi nëse nuk i merr 61 vota me votim të fshehtë. Ajo tha se ky është qëndrim i saj “i njëanshëm por, është respektuar nga Vetëvendosje”.

Haxhiu foli pas dështimit të 43-të me radhë për konstituimin e legjislaturës së nëntë.

“Edhe Gjykata Kushtetuese nuk ka bërë përcaktime ose nuk ka vendosur ndonjë kriter se sa herë duhet të kandidojë një kandidat apo të tjera, por ajo që besoj se është e rëndësishme të themi është se nëse unë me votim të fshehtë nuk i kam 61 vota unë kam thënë që tërhiqem, pra ky ka qenë kompromisi i parë që e kemi bërë, në fakt ka qenë qëndrim i njëanshëm i imi por që është respektuar nga Vetëvendosje, dhe kompromisi i dytë është që le ta rrëzojmë bashkë komisionin për votimin e fshehtë dhe të merremi vesh për kryetarin dhe nënkryetarët”, tha Haxhiu.

Dështimet për konstituimin e Kuvendit po vazhdojnë edhe pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka obliguar deputetët që ta bëjnë Kuvendin më së largu deri më 26 korrik.

Seanca konstituive ka nisur më 15 prill, pas së cilës deputetët e zgjedhur janë betuar por nuk kanë arritur ende t’i formojnë trupat e legjislativit.

Procesi ka ngecur te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, për çka Lëvizja Vetëvendosje, në koalicion me Guxo dhe Alternativa, nuk po mund t’i sigurojnë 61 votat e nevojshme – në votim të hapur – për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në krye të këtij institucioni.

Ata po kërkojnë që votimi të bëhet në mënyrë të fshehtë, por kjo po kundërshtohet nga partitë e tjera parlamentare.

“Ne kemi një komision që po përpiqemi ta formojmë që 35 herë, së dyti është e drejta e Lëvizjes Vetëvendosje që të bëjë propozimin për kryetar të Kuvendit, në këtë rast nëse ne pranojmë që të tjerët të na përcaktojnë emrin e kryetarit të Kuvendit atëherë kjo bie ndesh me vullnetin e popullit të shprehur në zgjedhjet e 9 shkurtit”, tha ajo. /kp