Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Politika > Haxhiu: Mon Balaj dhe Arben Xheladini u bënë sakrifikuesit e shtetësisë

Haxhiu: Mon Balaj dhe Arben Xheladini u bënë sakrifikuesit e shtetësisë

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kujtuar protestën e para 16 viteve ku u vranë Mon Balaj e Arben Xheladini, të cilët sipas Haxhiut, u bënë sakrifikuesit e shtetësisë “që nuk dukej në horizont pa këta protagonistë”.

Haxhiu tha se e drejta për ushtrim paqësor të mendimit të lirë e qytetar, atë ditë u dhunua me shkopinj e plumba gome nga ana e policisë së UNMIK-ut, që për pasojë u vranë Mon Balaj e Arben Xheladini.

“16 vite më parë sheshi u bë pikënisje e shtetit ndërsa protestuesit aktivistë Mon Balaj dhe Arben Xheladini u bënë sakrifikuesit e shtetësisë që nuk dukej në horizont pa këta protagonistë dhe qindra-mijëra qytetarë që mbushën rrugët atëkohë. E drejta për ushtrim paqësor të mendimit të lirë e qytetar u dhunua me shkopinj e plumba gome të UNMIK-ut, që për pasojë u dhanë fund tragjikisht jetëve të Monit dhe Arbenit. Rënia e tyre e ngriti edhe më shumë alarmin për korrigjim të padrejtësisë që po na bëhej me pakon e Ahtisaarit, e cila vetëm pastaj rezultoi me përmendjen e togfjalëshit “pavarësi e mbikëqyrur”, ende pa u mbushur as 3 javë prej vrasjes së dy aktivistëve nga plumbat e policisë rumune”, ka shkruar Haxhiu.

Ministrja ka shkruar po ashtu se në vitin 2009 ishte hapur rasti për hetimin e vrasjes së Monit dhe Arbenit. Para 3 vitesh zyrtarisht si Ministre, u jam drejtuar autoriteteve rumune me shkresë për informacione lidhur me detajet procedurale dhe veprimet e ndërmarra pë vrasjen e aktivistëve protestues. Vitin e kaluar rastin e kam adresuar edhe te Sekretari i Kombeve të Bashkuara për të kërkuar informata lidhur me nivelin e zhvillimit të procedurave dhe marrjen e përgjegjësisë nga policia rumune.

“Aktivistët po protestonin paqësisht atë ditë për ta mbrojtur vendin e tyre. Mbledhja e qytetarëve për protestë paqësore është e drejtë universale e garantuar edhe me konventa ndërkombëtare. Prandaj, për vrasjen e Monit dhe Arbenit, nuk do te rreshtim së kërkuari përgjegjësi. Lavdi jetës dhe veprës së Mon Balajt dhe Arben Xheladinit, emrave që përherë do të jenë të gdhendur në pllakën e Kosovës së pavarur! Ne po ecnim drejt atë ditë, ne do ecim drejt gjithmonë!”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

/TV Arbëria

Powered by WordPress