Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka kërkuar që në cilësinë e kryetarit të komisionit ekzekutiv për shëndetësi të hetohet edhe Albin Kurti për rastin e foshnjes në Spitalin e Pejës.
“Skandal pas skandali, keqpërdorim pas keqpërdorimi në sektorin e shëndetësisë, dhe askush nuk jep llogari as përgjegjësi, dhe as ministër nuk kemi”, ka thënë Haxhiu në Kuvend.
“Skandali i fundit i gjymtimit të kufomës së foshnjës së vdekur në lavatriçen e Spitalit të Pejës u bë falë mediave sepse drejtori i Spitalit të Pejës, përgjegjësit e ShKSUK-së, ministria e Shëndetësisë, dhe kryetari i komisionit ekzekutiv për shëndetësi janë përpjekur ta fshehin këtë krim për tetë ditë”.
“Pasi nuk ka as dorëheqje morale, atëherë ftoj prokurorinë e Kosovës të fillojë hetimet nga kryetari i komisionit ekzekutiv për shëndetësi e deri te drejtori i Spitalit të Pjeës, për tentim të fshehjes së krimit”.
“Mungesa e përgjegjësisë dhe e llogaridhënies është shndërruar në normalitet”, tha Haxhiu duke iu referuar rastit të Hamide Magashit e cila u vra në oborrin e gjinekologjisë, e për çka Haxhiu tha se nuk ishte ndërmarrë asgjë për të tentuar ta shpëtojnë fëmijën e saj përmes prerjes cezariane.
Ai tha se këto raste u heshtën sikur miliona euro keqpërdorime, dhe sërish e ktheu akuzën që Kosova ende nuk ka ministër të Shëndetësisë. /TV Arbëria