Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se Komisioni i Venecias i ka miratuar ndryshimet në Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Përmes një videoporosie, Haxhiu nga Venecia tha se raportuesit për Kosovën theksuan në Komision se Projektligji i ri paraqet një sistem të zbatueshëm të konfiskimit civil në Kosovë.
“Në seancën e 133-të të Komisionit të Venecias të mbajtur sot në Venecia, prezantova ndryshimet në Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikuar hartuar nga Grupi Punues i Komisionit për Legjislacion, në linjë me rekomandimet e Komisionin e Venecias. Pas prezantimit dhe diskutimit, Komisioni i Venecias ka pro ndryshimeve të tilla duke konstatuar adresimin e rekomandimeve dhe problemeve të identifikuara në opinionin e muajit qershor të këtij viti. Raportuesit për Kosovën theksuan se tashmë Projektligji i ri paraqet një sistem të zbatueshëm, të konfiskimit civil në Republikën e Kosovës”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka falënderuar pjesëmarrësit që kanë kontribuuar në finalizimin e nismës.
/TV Arbëria