Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj Prokurorisë Speciale lidhur me rastin e një prone milionëshe në Veternik Prokuroria, nga ana tjetër, ka mohuar akuzat, duke e cilësuar reagimin e Haxhiut si të pavërtetë dhe tendencioz
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, gjatë ditë së mërkurë ka reaguar në lidhje me mënyrën e trajtimit të rastit të një prone milionëshe në lagjen “Veternik” të Prishtinës. Ajo theksoi se dokumentet e falsifikuara nga Beogradi dyshohet se kanë ndikuar në mbylljen e hetimeve nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Haxhiu akuzon Prokurorinë Speciale: Mbylli hetimet për pronën në “Veternik” me një dokument të falsifikuar nga Beogradi
Prokuroria Speciale, nga ana tjetër, nuk vonoi shumë dhe i reagoi ministres, duke thënë se rastin e tokës në “Veternik” nuk e ka trajtuar asnjëherë dhe se deklaratat e Haxhiut ishin të pasakta, me qëllim të dezinformimit të opinionit publik dhe dëmtimit të imazhit të prokurorisë.
Prokuroria Speciale reagon ndaj Haxhiut: Deklaratat janë tendencioze dhe të pavërteta
Pas kësaj, Haxhiu iu përgjigj reagimit të Prokurorisë, e cila kishte mohuar pretendimet e saj dhe e kishte cilësuar deklaratën e saj si të pavërtetë dhe tendencioze.
Sipas Haxhiut, lëshimi i vetëm në reagimin e saj ishte në lidhje me adresën e dërgimit të zarfit, ndërsa pretendimet e familjarëve, të cilët kanë pohuar se ka persona të përfshirë nga Prokuroria Speciale, ishin të sakta. Ajo i bëri thirrje Prokurorisë të merret me këto pretendime në vend që të reagojë ndaj saj.
“Në lidhje me reagimin e Prokurorisë Speciale e ndjej të obligueshme t’i përgjigjem që i vetmi lëshim në reagimin tim është te adresa e dërgimit të zarfit dhe Prokuroria që e ka në dorë rastin, që është ajo themelorja, ndërkaq pretendimet e familjarëve që përmendin se në këtë rast ka të përfshirë edhe persona nga vet Prokuroria Speciale janë të sakta në reagimin tim dhe tashmë ato janë bërë publike.
Prokuroria Speciale para se të më përgjigjet mua brenda orësh është mirë t’i përgjigjet pretendimeve, për të cilat nuk ka thënë asnjëherë asgjë madje as sot”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.