Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Haxhiu flet për dështime: Kirurgjia e Fëmijëve në QKUK që ka 15 specialistë e katër salla po kryen veç 3-4 operacione në ditë

Haxhiu flet për dështime: Kirurgjia e Fëmijëve në QKUK që ka 15 specialistë e katër salla po kryen veç 3-4 operacione në ditë

Deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu, ka reaguar pas deklaratave të drejtorit të Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve, pasi i njëjti ka thënë se për nëntë muaj janë kryer mbi një mijë operacione.

Sipas Haxhiut ky është dështim në menaxhim të Shëndetësisë, meqë sipas një përllogaritje të tij një klinikë me katër salla operacionesh dhe 15 specialistë të kirurgjisë së fëmijëve po kryejnë vetëm nga 3-4 operacione për një ditë, shkruan Insajderi.

“Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK, paska deklaruar se për 9 muaj janë kryer mbi 1 mijë operacione, mesatarisht i bie që janë kryer 3-4 operacione në 24 orë në një Klinikë që ka 4 salla të operacioneve e 15 specialistë të kirurgjisë së fëmijëve, e ku janë investuar mbi 22 milionë euro”, ka deklaruar Haxhiu.

Ai ka thënë se në bazë të një raporti zyrtar të QKUK’së në po të njëjtën klinikë me dy salla ishin kryer 1425 operacione për të njëjtën periudhë.

“Operacione të kryera në Klinikë e Kirurgjisë se Fëmijëve në vitin 2024 mesatarja 3.7 operacione në 24 orë me 4 salla operative. 2019 mesatarja 3.9 operacione në 24 orë me 2 salla operative”, vijon postimi i tij.

Sipas Haxhiut, menaxhimin e shëndetësisë e ka kapur “tenderomania”.