Sociologu Haxhi Kastrati ka deklaruar se kriza institucionale e krijuar pas zgjedhjeve të fundit ka pasoja serioze për qytetarët e Republikës së Kosovës në pothuajse të gjitha fushat e jetës, shkruan TV Arbëria.
Në një intervistë me shkrim për TV Arbëria, Kastrati ka theksuar se mungesa e një qeverie funksionale po e dëmton edhe më shumë besimin e qytetarëve në institucionet e shtetit, të cilat sipas tij janë ende të brishta.
“Sa më të dobëta të jenë institucionet, aq më i madh është efekti negativ te qytetarët, dhe kjo ka një domethënie të madhe për të ardhmen e vendit”, ka deklaruar ai.
Sipas Kastratit, bllokimi politik ka përkeqësuar kushtet e jetesës së qytetarëve, veçanërisht në aspektin social. Ai ka vlerësuar se kjo situatë po i godet më së shumti shtresat më të varfra të shoqërisë, të cilat mbijetojnë me dhjetëra euro në muaj, si dhe kategoritë më të ndjeshme si të moshuarit, pensionistët, të sëmurët dhe grupe të tjera sociale.
Ai ka theksuar se pasojat janë të dukshme edhe në aspektin ekonomik, duke përmendur vështirësitë në marrëdhëniet kontraktuale të bizneseve, ndërprerjen e donacioneve në fusha të ndryshme dhe mungesën e investimeve nga jashtë.
Duke folur për procesin zgjedhor, Kastrati ka kujtuar se Kosova ishte vlerësuar për organizimin e zgjedhjeve të rregullta dhe të qeta. Megjithatë, sipas tij, zgjedhjet e fundit nxorën në pah një realitet shqetësues.
“Edhe pse zgjedhjet u vlerësuan si të rregullta nga vëzhguesit, procesi i numërimit dhe rinumërimit nxori në pah shumë parregullsi”, ka deklaruar ai, duke përmendur raste të vjedhjes dhe keqpërdorimit të votës së qytetarëve nga pothuajse të gjitha subjektet politike dhe në shumë qendra votimi.
Sipas Kastratit, mediat kredibile kanë raportuar për raste të blerjes, shitjes dhe kërcënimit të votuesve, ndërsa arrestimi i dhjetëra personave nga organet e drejtësisë ka dëmtuar edhe më shumë perceptimin e qytetarëve ndaj procesit zgjedhor, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.
Ai ka folur edhe për konfliktet politike, duke vlerësuar se ato kanë përçarë prej vitesh skenën politike kosovare, duke ndikuar negativisht edhe në familje dhe shoqëri. Megjithatë, sipas tij, vitet e fundit ishte vërejtur një përpjekje për konsolidim dhe krijim të një realiteti të ri politik, edhe pse me shumë vështirësi.
Kastrati ka theksuar se antagonizmat politike janë thelluar edhe më shumë pas zgjedhjeve të fundit, veçanërisht mes pozitës dhe opozitës. Ai ka shtuar se përçarjet etnike nuk duhet dhe nuk guxojnë të jenë pjesë e realitetit politik në Kosovë.
“Shteti, etnia dhe atdheu janë një dhe i vetëm, pavarësisht dallimeve në temperament, nivel vetëdijeje apo arsimimi”, ka përfunduar sociologu Haxhi Kastrati.
/TV Arbëria