Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > Hasmi ta lypë mashkullin më të mirë

Hasmi ta lypë mashkullin më të mirë

Shkruan: Agron Hoti

Të gjithë jemi dëshmitarë se, që nga përfundimi i luftës së vitit 1999 në Kosovë e deri në vitin 2020, pra, për mbi 20 vite, ka ekzistuar një fushatë sistematike brutale për të njollosur figurën e Hashim Thaçit dhe bashkëluftëtarëve të tij, pra për të denigruar, kështu, sa më shumë UÇK-në dhe luftën çlirimtare të popullit shqiptar të Kosovës. E pritshme kjo, sepse çdo pushtues e lufton me të gjitha mjetet vetëm atë që i kthen pushkën. Pushtuesi nuk e lufton kolaboracionistin. E Serbia historikisht e ka luftuar vetëm vijën patriotike shqiptare, njëjtë ka vazhduar edhe me UÇK-në.

Qëllimi i gjithë kësaj fushate antishqiptare ishte i qartë: barazimi i luftës çlirimtare të UÇK-së me luftën pushtuese të Serbisë. Kjo rend-ditë, e orkestruar nga Serbia dhe Rusia, me ndihmën e disa aleatëve të tyre në Evropë, synonte ta përmbyste narrativën historike të çlirimit të Kosovës. Jo rastësisht BE as sot s’e njeh pavarësinë e Kosovës.

Ndërkohë, Serbia dhe Rusia nuk mund ta pranonin asesi faktin që një djalosh i ri si Hashim Thaçi (që vinte nga Drenica historkisht heroike dhe i dalë nga Universiteti i Prishtinës) kishte ditur të rreshtohej përkrah SHBA-së dhe e kishte kapur momentin historik që nuk do të përsëritej më.

Ky moment ishte krijimi dhe drejtimi i lëvizjes çlirimtare që kulmoi në UÇK në një periudhë vendimtare për Kosovën, shqiptarët dhe rajonin: 1991-2001, kur Rusia po humbiste ndikimin e saj në Evropën Lindore dhe Juglindore, ndërsa popujt e shtypur prej saj apo satelitëve të saj të mbështetur nga SHBA po çliroheshin nga trashëgimia komuniste dhe ndikimi rus.

Përmes kësaj periudhe historike, jo vetëm që u çlirua Kosova, por u avancua ndjeshëm edhe pozita e shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi dhe Shqipëri. Kjo dekadë (1991-2001) ishte periudha më e artë për afirmimin e çështjes kombëtare shqiptare në Ballkan.

Për Rusinë, avancimi i pozitës së shqiptarëve do të thoshte: më shumë SHBA dhe NATO në rajon dhe më pak ndikim rus. Prandaj, kundërpërgjigjja ruse nuk mungoi kundër UÇK-së dhe Krerëve të saj. Filloi ndërtimi i një armate politike, mediatike e shoqërore brenda Kosovës dhe diasporës me qëllim që të sulmohej UÇK-ja dhe të barazohej Hashim Thaçi me kriminelët serbë të luftës. Vetëm paramendoni se si BE e detyruar nga Rusia nga viti 2014 e deri në vitin 2022 po e lartësonte Vuçiçin me shokë dhe po e poshtëronte Hashim Thaçin me shokë. E tëra ishte orkestër ruse, por që u ndërpre përfundimisht me rezistencën e Ukrainës së mbështetur nga SHBA.

Fatkeqësisht, në këtë ofensivë u përfshinë edhe shumë shqiptarë nga politika, mediat, OJQ-të, opinionistë, thashethemexhinjtë e deri tek segmentet e radikalizuara fetare, që përmes retorikës islamiste anti-perëndimore, goditën trashëgiminë pro-perëndimore të UÇK-së.

Ngritja e islamit politik dhe radikal në Kosovë dhe diasporë u bë, ndër të tjera, një instrument serb e rus për të zbehur frymën e orientimit perëndimor që kishte karakterizuar luftën çlirimtare. Të gjithë jemi dëshmitarë sot se ç’po bën Rusia, Serbia me mbështetje edhe të ca shteteve evropiane në tjetërsimin kombëtar të shqiptarëve në diasporë, ku kanë ndërmarrë një valë brutale xhamijëzimi dhe indoktrinimi të shqiptarëve gjithandej diasporës.

Duke qenë mike të vendeve arabe, Serbia e Rusia po nxisnin sentimentet arabo-palestineze në Kosovë e diasporë, derisa shumë shqiptarë filluan të radikalizoheshin kundër caqeve amerikane në Evropë. Ndërkohë edhe sentimentet sado të heshtura antisemite në Evropë ishin ato që po nxisnin shqiptarët kundër SHBA-së. Pra, qëllimi i gjithë kësaj ndërmarrjeje ishte që si politika ashtu edhe feja ta ndryshonin narrativën kombëtare çlirimtare shqiptare në favor të Serbisë dhe Rusisë.

Nuk është e rastësishme që populli ynë thotë: “hasmi ta lypë mashkullin më të mirë të shtëpisë.” Kodi rus e serb për eliminimin politik të Hashim Thaçit ishte: “shkatërrimi 20-vjeçar” – një tentim për t’ia përkthyer popullit tërë procesin historik të çlirimit, pavarësisë dhe shtetndërtimit si “shkatërrim”. E gjithë kjo për t’i bërë njerëzit të thonë: “më mirë ishim nën Serbi, sesa nën qeverisjen e shqiptarëve.” Dhe mjerisht, kjo nuk është që s’është arritur te një masë jo e vogël e njerëzve.

Gjithë kjo ndërmarrje kundër Hashim Thaçit me shokë ndodhi intensivisht nga viti 2001 deri në 2021, kur SHBA ishte e zënë në luftën e saj kundër terrorizmit në Lindjen e Mesme, ndërsa Rusia po e shfrytëzonte hapësirën për ta rikthyer ndikimin e saj në Evropë dhe Ballkan, përmes aleatëve të saj në rajon. Kjo krijoi terren për një revizionizëm të rrezikshëm historik, që kulmoi me arrestimin e Hashim Thaçit nga Gjykata Speciale në vitin 2020, një veprim ky që për shumëkënd përfaqësonte pikën më të lartë të goditjes së UÇK-së dhe luftës çlirimtare.

Po cilat ishin efektet e eliminimit politik të mashkullit më të mirë? Efektet janë këto: Kosova është i vetmi vend në Evropë që ndodhet nën sanksione perëndimore krahas Rusisë dhe Koresë së Veriut dhe është në përplasje me aleatin më të madh të saj, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo situatë është pikërisht ajo që e kishin ëndërruar kundërshtarët tanë strategjikë siç janë Rusia dhe Serbia: një Kosovë e izoluar, në kaos, e dobët dhe e braktisur, ku çlirimtarët poshtërohen dhe bashkëpunëtorët e armikut ngrihen në piedestal.

Dhe në këtë realitet të hidhur, po shohim me sy tanë një shpopullim të frikshëm të Kosovës. Fshatra të tëra po mbesin të zbrazëta, ndërsa të rinjtë po ikin masivisht nga vendi. Nëse kjo tendencë vazhdon, Kosova rrezikon të shndërrohet në një vend ku do të jetojnë vetëm të moshuarit.

Prandaj, nuk është rastësi që hasmi e kërkon mashkullin më të mirë. Sepse, kur rrëzon kokën e shtëpisë, pastaj me të tjerët luan si maca me miun. E pikërisht kjo po ndodh me Kosovën sot.