Deputeti i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Ilir Hasani, ka thënë se fjalimi i kryeministrit Albin Kurti lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe në RMV ka shkaktuar një dëm të parikuperueshëm për shqiptarët.
Hasani ka thënë se fjalimi i Kurtit nuk mund të arsyetohet me asnjë gjë, për shkak se për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut është derdhur edhe gjak.
“E dëgjova me kujdesin më të madh Kryeministrin e R. Kosovës z. Albin Kurti dhe për herë të parë nuk desha të besoj atë që e ndëgjoj nga ai. Të thuash që gjuha shqipe nuk është gjuhë zyrtare dhe të relativizosh në atë mënyrë një vendim të pritshëm të Gjykatës Kushtetuese për heqjen nga përdorimi të gjuhës tënde, pêr të cilën është sakrifikuar gjak, mund, energji…, dhe çfarë jo, është jashta çdo kuptimi. Një gjë e tillë nuk mund të arsyetohet as me padije por as edhe me shërbim jaranije ndaj miqve të tij të një koalicioni pa legjitimitet të shqiptarëve në RMV. Tashmë nuk flasim se cilin do ta përkrah Albini për zgjedhje, tash flasim për një dëm ndaj shqiptarëve në RMV që askush nuk do të mund ta rikuperoj!”, thuhet në postimin e deputetit Hasani në Facebook.
Gjatë takimit me homologun e tij maqedonas, kryeministri Kurti tha se duhet pritur për vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Maqedonisë së Veriut për përdorimin e gjuhës shqipe.
“Ekziston ligji që përmend shifërn 20%, por ai nuk është ligj për shqipen, por përdorimin e gjuhëve. Kjo është e para. Në anën tjetër, besoj që duhet të gjithë të presim për një vendim të drejtë të GJK atje, i cili nuk bën as përjashtime dhe as diskriminim dhe i cili e respekton shumëgjuhësinë atje. Por, në Republikën e Maqedonisë së Veriut nuk mund të thuhet se shqipja ka qenë gjuhë zyrtare e tash po u rrezikohen….Ka organe atje të cilët i marrin vendimet e tyre”, tha ai.