Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > ​Haradinaj premton 25 miliardë euro investime kapitale

​Haradinaj premton 25 miliardë euro investime kapitale

Kandidati për kryeministër i Koalicionit për Kosovën Fituese, Ramush Haradinaj, ka premtuar investime kapitale në vlerë 25 miliardë euro, gjatë mandatit qeverisës katër vjeçar. Ai gjatë takimit me biznese, tha se kur të vijnë në pushtet do të synojnë rritjen ekonomike në shtatë për qind.

Haradinaj përmendi edhe ndërhyrjen në akcizë të derivateve për bujqësi dhe prodhim.

Sipas tij, për gjatë katër viteve do të jenë 9 miliardë euro investime kapitale nga shteti, kurse 16 miliardë nga sektori privat.

“Synojmë rritjen ekonomike shtatë për qind dhe vlerësojmë se një ambicie e tillë e bënë kthesën në ekonomi. Njëkohësisht kalkulojmë se për një mandat qeverisës investimet të arrijnë në 25 miliardë euro, këto janë edhe publike e private. Kuptohet publike janë 9 miliardë investime kapitale ndërsa 16 miliardë nga sektori privat”, tha ai.

Duke folur për raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës(ShBA), Haradinaj tha se fokusi do të jetë edhe te bashkëpunimi ekonomik.

Ai theksoi nevojën që ndërtesa “Trump Tower”, si investim të ndodh edhe në Prishtinë.

“Kam dëgjuar se ka ide për Trump Tower në Beograd dhe në rajon. Mendojmë se edhe Prishtina e meriton një Trump Tower dhe ne e kishim mirëpritur që me ardh tek një investim i tillë. Jo vetëm kjo por edhe projektet të tjera që mund të identifikohen ndërkohë”, shtoi Haradinaj.

Në anën tjetër, kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, akuzoi kryeministrin aktual Albin Kurti se gjatë katër viteve ka stagnuar vendin.